Tajfuni i rrezikshëm drejt Vietnamit

Tajfuni Kalmaegi shkaktoi shkatërrim të madh në Filipine me qindra viktima dhe mijëra të zhvendosur, ndërsa tani po i afrohet Vietnamit me intensitet të rritur.

Tajfuni Kalmaegi goditi Filipinet në mes të javës, duke lënë pas një panoramë tronditëse shkatërrimi dhe dhimbjeje. Zona më e prekur ishte provinca Cebu, një destinacion i njohur turistik, ku dhjetëra komunitete u zhdukën nën baltë, rrënoja dhe ujëra përmbytjesh.

Autoritetet konfirmuan të paktën 114 viktima, ndërsa shumë persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Mijëra banorë kanë mbetur pa strehë, ndërsa përpjekjet për kërkim-shpëtim vijojnë në kushtet e terrenit të vështirë dhe rrëshqitjes së tokës.

Pamjet me dron treguan lagje të tëra të mbytura nga uji, rrugë të shndërruara në lumenj dhe makina të përmbysura. Në qytetin Talisay, qindra shtëpi u shembën plotësisht, duke u zhytur nën shtresa balte dhe mbeturinash.

Shumë banorë rrëfyen se janë përballur me tajfune më parë, por asnjë nuk kishte sjellë një shkatërrim të tillë. Ata humbën gjithçka brenda pak minutash, pa mundur të shpëtonin as sendet më të domosdoshme.

Ndërsa Filipinet ende përballen me pasojat, Kalmaegi është forcuar në një stuhi të kategorisë 4 dhe po lëviz mbi Detin e Kinës Jugore, duke iu afruar bregdetit të Vietnamit. Autoritetet vietnameze paralajmërojnë stuhi të forta, reshje të dendura dhe rrezik të lartë përmbytjesh.

Parashikohet që tajfuni të godasë Vietnamin qendror të enjten në mbrëmje, një zonë që vetëm pak ditë më parë u përball me përmbytje shkatërruese dhe rrëshqitje masive tokash pas reshjeve rekord.

Ndërkohë, një tjetër stuhi tropikale, Fung-Wong (lokalisht Uwan), pritet të fuqizohet gjatë fundjavës dhe mund të godasë veriun e ishullit Luzon në Filipine, duke rritur rrezikun për situata të tjera ekstreme.

Ekspertët e klimës theksojnë se ngrohja globale po rrit fuqinë e cikloneve tropikale. Temperaturat më të larta të oqeaneve sigurojnë energji shtesë që i ndihmon stuhitë të forcohen dhe të shkaktojnë reshje shumë më intensive.

CNN raportoi se një faktor kyç në shkatërrimin e Kalmaegi ishte lëvizja e ngadaltë e stuhisë. Ajo lëshoi sasi të jashtëzakonshme shiu brenda 24 orëve, duke përmbytur zona të dendura urbane dhe fshatra pa infrastrukturë ujëthithëse.

Autoritetet e mbrojtjes civile në Filipine thanë se përveç reshjeve, problem mbeten kanalizimet e bllokuara dhe mungesa e sistemeve moderne të drenazhimit, të cilat nuk mund të përballojnë ngarkesën e ujërave.

Presidenti Ferdinand Marcos Jr. shpalli gjendjen e katastrofës kombëtare dhe premtoi mbështetje për zonat e prekura. Por vendi tashmë po përballet edhe me një skandal korrupsioni që lidhet me projektet e kontrollit të përmbytjeve, duke shkaktuar protesta të gjera.

Në anën tjetër, Vietnam po përgatitet të evakuojë rreth 350 mijë persona në provincën Gia Lai dhe zonat përreth. Autoritetet paralajmërojnë dëme në infrastrukturë, ndërprerje energjie dhe bllokim rrugësh.

Qyteti historik Hoi An, i mbrojtur nga UNESCO, së fundmi u përmbyt nga reshje rekord. Qindra shtëpi, tregje dhe rrugë u mbuluan nga uji dhe balta, ndërsa banorët treguan se nuk kishin parë ndonjëherë një përmbytje kaq të rëndë.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ngjarje të tilla ekstreme po bëhen më të shpeshta dhe më të forta, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe temperaturave të larta të oqeaneve në Paqësor.

Ndaj Postimin: