Prokuroria e Vlorës ka kërkuar masë sigurie për një avokat, i dyshuar se ka përvetësuar mbi 19 milionë lekë përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Vlorë ka njoftuar se ka lëshuar kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetasit D.M., me profesion avokat, lidhur me tre vepra të rënda penale. Hetimet nisën pas kallëzimit të paraqitur nga dy shtetasit S.S. dhe B.E.
Sipas materialeve hetimore të administruara në procedimin penal nr. 1340, datë 24.11.2024, Prokuroria ka konstatuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se avokati ka përvetësuar pasuri monetare në shumën totale 19.200.000 lekë të rinj. Ai dyshohet se ka përdorur gënjeshtrën, mashtrimin dhe shpërdorimin e besimit të klientëve për të përfituar në mënyrë të padrejtë shumat financiare.
Për këtë veprimtari, Prokuroria ka ngritur akuzën “Mashtrim me pasoja të rënda dhe më shumë se një herë”, parashikuar nga neni 143, paragrafi 2 dhe 3 i Kodit Penal. Krahas saj, ndaj avokatit rëndojnë edhe akuzat për “Falsifikim dokumentesh” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, sipas neneve 186 dhe 287 të Kodit Penal.
Hetimet zbuluan se menjëherë pas përfitimit të shumës së transferuar nga përmbarimi, personi nën hetim ka kaluar rreth 2.000.000 lekë në llogarinë e shtetasit E.A., me përshkrimin “këst për blerje apartamenti”. Sipas organit procedues, ky veprim përforcon dyshimet për qarkullimin dhe pastrimin e të ardhurave të dyshuara si të paligjshme.
Në bazë të këtyre provave, më datë 04.11.2025 Prokuroria i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, duke kërkuar masën e sigurimit personal “arrest në burg” për shtetasin D.M.
Gjykata, me vendimin nr. 561, datë 05.11.2025, ka vendosur masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale. Ekzekutimi i masës është bërë më datë 06.11.2025.
Autoritetet deklarojnë se hetimet do të vijojnë për të dokumentuar plotësisht mekanizmin e veprës penale dhe mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë.
Prokuroria bën thirrje që qytetarët të denoncojnë raste abuzimi, veçanërisht kur ato lidhen me përfaqësim ligjor dhe veprime në dëm të pasurisë.


