Një punonjës policie në Durrës akuzohet për marrje ryshfeti, pasi i kërkoi një qytetari 60 mijë lekë për zhbllokimin e mjetit dhe shmangien e një gjobe administrative.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në rajonin Durrës–Kavajë ka finalizuar arrestimin në flagrancë të një punonjësi policie, i identifikuar si G.H., i cili shërbente në Trupën e Shërbimit të Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Durrës. Hetimi u zhvillua nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas hetimeve, polici dyshohet se ka kërkuar dhe më pas ka marrë nga një qytetar, me inicialet E.S., shumën prej 60 mijë lekësh të rinj. Në këmbim, ai i ka premtuar se do të ndërhynte për t’i nxjerrë automjetin nga pika e bllokimit, si dhe do të shmangte vendosjen e masës administrative ndaj tij.
Shuma e parave është sekuestruar si provë materiale nga oficerët e AMP-së, të cilët kanë përdorur metoda speciale të hetimit për dokumentimin e rastit. Dyshohet se punonjësi ka abuzuar me detyrën, duke shfrytëzuar postin publik për përfitime personale.
G.H. do të përballet me akuzën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e cila parashikohet në nenin 259 të Kodit Penal dhe dënohet me burgim dhe humbje të të drejtës për të ushtruar funksione publike.
Burime nga AMP bëjnë të ditur se hetimet nuk ndalen me arrestimin e tij. Organi i posaçëm po verifikon nëse në skemën e dyshuar korruptive mund të jenë të përfshirë edhe punonjës të tjerë të strukturave të rendit në Durrës.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se mbetet e vendosur të luftojë dhe godasë çdo formë të abuzimit dhe korrupsionit brenda radhëve të policisë. Institucioni fton qytetarët të raportojnë raste të ngjashme të shkeljes së ligjit nga efektivët.


