Gjest i thjeshtë u bë simbol i afrimit mes kryebashkiakut të ri të Nju Jorkut dhe komunitetit shqiptar, duke sjellë entuziazëm e shpresë të re.
Në rrjetet sociale janë shpërndarë me shpejtësi fotografi të kryebashkiakut të ri të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, teksa bën simbolin e shqiponjës dykrenare. Imazhet janë realizuar nga fotografi me origjinë shqiptare, Erzen Gashi, i cili shpjegon se momenti ka ardhur krejt natyrshëm, pa asnjë plan të mëparshëm.
Sipas Gashit, Mamdani ka shumë miq shqiptarë dhe është njohur shpesh me këtë gjest. “Njëri nga djemtë që ishte me të ia propozoi gjatë fotos. Ai pranoi menjëherë dhe buzëqeshi, e mori të gjithë me sportivitet,” tregon ai.
Fotografi 37-vjeçar është lindur në Slloveni dhe është rritur në Shtetet e Bashkuara. Babai i tij është me origjinë nga Kosova, ndërsa nëna nga Mali i Zi, gjë që e ka bërë Gashin të mendojë gjithmonë për identitetin e tij kulturor dhe rrënjët familjare.
Ai tregon se e ka takuar Mamdanin për herë të parë gjatë fushatës së tij elektorale, në një aktivitet ku merrte pjesë komuniteti shqiptar në Nju Jork. Ishte pikërisht aty ku lindi ideja për ta fotografuar nga afër.
“Ai është shumë i afërt, i qeshur dhe i komunikueshëm. Jep përshtypjen e një njeriu të ndershëm, ashtu siç duket në fotografi. Nuk ka maska dhe nuk përpiqet të krijojë imazh artificial,” rrëfen Gashi.
Fitorja e Mamdanit, një politikan i ri mysliman me prejardhje afrikano-indiane, është cilësuar historike për qytetin. Për shumë shqiptarë emigrantë, kjo fitore është pritur me energji të re dhe optimizëm.
Gashi thotë se i ka treguar Mamdanit se edhe ai është mysliman dhe emigrant, dhe ky mesazh ka krijuar një lidhje të menjëhershme mes tyre. “Shumë shqiptarë këtu ndihen të dëgjuar. Ka vite që mungonte një frymë shprese në politikën lokale. Tani duket sikur qyteti po merr frymë ndryshe,” thotë ai.
Ai thekson se shumë emigrantë, përfshirë shqiptarët, shpesh janë përballur me vështirësi dhe pasiguri. Por besojnë se kryebashkiaku i ri mund të mbrojë dhe mbështesë komunitetet që shihen rrallë në qendër të politikave publike.
Edhe pse Gashi punon në sektorin shëndetësor, pasioni i tij më i madh mbetet fotografia. Ai shpreson se ky takim do të hapë mundësi të reja për të bashkëpunuar profesionalisht me ekipin e Mamdanit.
“I dërgova fotot dhe i thashë se do të isha i lumtur të punonim sërish bashkë, nëse ai ka nevojë. Ndjehem më gjallë kur punoj me imazhe sesa në profesionin tim aktual,” përfundon ai me buzëqeshje.
Fotot e tij, të thjeshta por simbolike, po ndahen sot si një mesazh i qartë: kultura bashkon, gjuha e respektit është universale dhe simbolikat e identitetit mbeten ura mes komuniteteve.


