Lokali i drogës në Dimal zbulohet nga policia

Policia arreston pronarin e lokalit dhe një 27-vjeçar pas sekuestrimit të kanabisit dhe një arme zjarr automatik, duke goditur një rrjet të dyshuar shpërndarjeje droge.

Pronari i një lokali në zonën e Dimalit është vënë në pranga pasi dyshohet se përdorte biznesin e tij si qendër për shpërndarjen e lëndëve narkotike. Kontrollet e Policisë zbuluan se lokali shërbente si pikë takimi dhe ruajtjeje të drogës dhe armëve.

Gjatë bastisjes në ambientet e lokalit të 41-vjeçarit Kadri Kallmi, me banim në fshatin Drenovicë, shërbimet e Policisë sekuestruan një armë zjarri automatik, një sasi lënde narkotike kanabis, një peshore elektronike dhe 30 fishekë luftarak. Sasia e drogës dyshohet se ishte gati për t’u shpërndarë në zona të ndryshme të qytetit.

Përveç pronarit të lokalit, në pranga ka rënë edhe 27-vjeçari Kostandino Ziu, me banim në fshatin Tapi, Kuçovë. Ai ishte i pajisur me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, por dyshohej se vazhdonte aktivitetin kriminal nga banesa.

Policia ushtroi kontroll dhe në shtëpinë e tij, ku gjeti dhe sekuestroi një tjetër sasi të lëndës narkotike kanabis. Hetuesit dyshojnë se të dy personat bashkëpunonin në shpërndarjen e drogës në nivel lokal.

Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit të koduar “Kompleks”, i cili synon goditjen e veprimtarive kriminale që lidhen me narkotikët dhe armëmbajtjen pa leje në këtë zonë.

Operacioni lidhet edhe me hetimet mbi vendosjen e një lënde plasëse në një biznes një ditë më parë. Policia po verifikon nëse të arrestuarit kanë lidhje me episodin e shpërthimit.

Burime policore bëjnë me dije se hetimet do të zgjerohet për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në rrjetin e dyshuar të shpërndarjes.

Materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme ligjore.

Policia njofton se kontrollet në Dimal, Kuçovë dhe zonat përreth do të vijojnë në ditët në vijim, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e rrjeteve të shpërndarjes së drogës.

Ndaj Postimin: