Premtimi për pagën minimale dhe realiteti ekonomik

Rritja e pagës minimale në 500 euro është bërë slogan politik, por të dhënat tregojnë se standardi i jetesës mbetet i fundit në rajon dhe rritja nuk ndjehet në xhepat e qytetarëve.

Rritja e pagës minimale është rikthyer sërish në qendër të debatit publik. Në tetor 2025, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se paga minimale është dyfishuar dhe se në fillim të vitit të ardhshëm do të arrijë nivelin e 500 eurove. Sipas saj, ky është një tregues suksesi dhe përparimi ekonomik.

Megjithatë, të dhënat zyrtare të Eurostat për korrikun 2025 tregojnë një panoramë krejt tjetër. Paga minimale në Shqipëri është rreth 408 euro, ose 45,540 lekë. Kjo e pozicionon vendin në fund të listës në rajon dhe në Evropë, si në vlerë nominale, ashtu edhe në raport me fuqinë reale të blerjes, raporton faktoje.al.

Në rajon, Mali i Zi kryeson me pagë minimale 670 euro. Serbia dhe Maqedonia e Veriut ndjekin me 618 dhe 584 euro. Ndërkohë, në vendet e BE-së, paga minimale shkon nga 551 euro në Bullgari deri në 2,704 euro në Luksemburg. Edhe kur krahasohet sipas fuqisë blerëse, Shqipëria mbetet e fundit, pasi çmimet e ushqimeve, energjisë dhe qirave janë ndër më të lartat në rajon.

Nëse shohim shifrat nominale të dekadës së fundit, është e vërtetë që paga minimale është rritur nga 24,000 lekë në 2015 në mbi 45,000 lekë në 2025. Por kostoja e jetesës është rritur edhe më shpejt. Prandaj efekti real i kësaj rritjeje është i kufizuar dhe nuk përkthen një përmirësim të prekshëm të standardit të jetesës.

Ky premtim është përdorur disa herë në fushata elektorale. Në prill 2025, para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama njoftoi se paga minimale do të rritej në 500 euro dhe se vendimi do të miratohej në qershor, për të hyrë në fuqi në janar 2026. Por verifikimet treguan se vendimi nuk u miratua në qershor, sipas premtimit.

I njëjti skenar është përsëritur edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2023, kur u premtoi ngritja e pagës minimale në 450 euro. As atëherë premtimi nuk u realizua brenda afateve të shpallura.

Në thelb, rritja e pagës minimale është bërë mjet propagande, pa një strategji reale për të ulur koston e jetesës dhe për të përmirësuar fuqinë blerëse. Pa politika për prodhimin, konkurrencën, investimet dhe formalizimin e ekonomisë, rritja e pagës mbetet numër në letër.

Paga minimale është dyfishuar në shifra nominale, por Shqipëria vijon të mbetet e fundit në rajon dhe Evropë për standard jetese. Deklarata e ministres Delina Ibrahimaj klasifikohet si një gjysmë e vërtetë, sepse rritja ekziston, por efekti real mungon.

Ndaj Postimin: