Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku vijon detyrën edhe pas shpalljes si e pandehur nga SPAK, ndërsa provat e publikuara tregojnë urdhra, ndikime dhe shkelje të drejtpërdrejta në tendera.
Pasi doli nga dyert e SPAK, ku u informua zyrtarisht se është e pandehur, Belinda Balluku u rikthye normalisht në zyrën e saj qeveritare, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Kalon një javë e kjo situatë mbetet e pandryshuar.
Ndërkohë, akuzat që rëndojnë mbi të nuk janë të lehta. Dokumentet e siguruara së fundmi tregojnë se bëhet fjalë për veprime të drejtpërdrejta, të dokumentuara dhe të shkruara prej vetë saj. Jo supozime, jo interpretime, por mesazhe dhe udhëzime konkrete për ndërhyrje në tendera dhe favorizime.
Në dosjet e SPAK përfshihen urdhra për vartësit dhe ndërhyrje për të orientuar procedura publike. Këto prova shfaqin qartë shkelje ligjore me qëllim ndikimin e fituesve në procese tenderuese. Për herë të parë, vetë një zëvendëskryeministre rezulton protagoniste direkte në dokumente të tilla.
Kjo situatë krijon kontrast të dukshëm me rastin e Ilir Metës dhe Erion Veliajt. Ata u arrestuan para se dosjet e tyre të shkonin në këtë fazë, me argumentin se mund të ndikonin te provat. Në rastin e Ballukut, megjithatë, ajo vijon të qëndrojë në zemër të qeverisjes.
Kjo sjell pyetje të forta për qëndrimin e SPAK. Pse një standard për disa dhe një tjetër për një figurë kaq të rëndësishme në qeveri? Nëse të tjerët konsiderohen rrezik për hetimin edhe kur provat publikohen me zë e figurë, përse nuk vlene i njëjti vlerësim për Ballukun?
Opinionet e qendrave politike dhe publike po nxisin dyshime se drejtësia po funksionon në mënyrë selektive. Askush nuk ka frikë nga hetimet, por nga përjashtimet dhe trajtimi i privilegjuar. Pikërisht këto sjellin humbje besimi.
Nëse drejtësia e re fillon të matë figurat sipas pozicionit dhe jo sipas ligjit, atëherë ajo rrezikon të humbasë arsyen e ekzistencës. Nuk mund të ketë dy realitete paralele në sistemin e drejtësisë së një vendi demokratik.
Rasti “Balluku” përbën një provë shumë të rëndësishme. Tani sytë e publikut nuk janë vetëm te fakti nëse ka shkelje, por te mënyra se si do të trajtohet rasti. Nëse procedura do të ecë drejt fundit, apo nëse do të zvarritet derisa të humbasë vëmendja.
SPAK, vetëinstitucioni që u ngrit si shpresa për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, sot gjendet në qendër të vlerësimit. Si do të reagojë? A do të ruajë pavarësinë apo do të dorëzohet përballë presioneve të pushtetit?
Drejtësia duhet të flasë njësoj për të gjithë. Përndryshe, dënimi nuk është mjet barazie, por instrument përzgjedhjeje. Dhe kjo do të ishte goditja më e rëndë për besueshmërinë e saj.
Një gjë është e qartë: mënyra si trajtohet dosja “Balluku” do të mbetet një pikë reference për shumë vite. Shqipëria do ta mbajë mend këtë moment, ose si fillimin e një epoke të drejtësisë së vërtetë, ose si të radhës zhgënjim ku pushteti mbrojti vetveten.