Nga Ndriçim Gjoshi
Ekipi i futbollit të Lushnjës, dikur krenaria e qytetit dhe simboli i pasionit sportiv për banorët myzeqarë, po përballet me një prej sezoneve më të errëta në historinë e tij. Pas marrjes së drejtimit nga familja Biçaj dhe premtimeve për ringritje, skuadra verdhejeshile nuk ka arritur të marrë asnjë drejtim pozitiv, duke u pozicionuar tashmë në fund të renditjes së Kategorisë së Parë.
As ndryshimet në pankinë, as afrimet në merkato, as justifikimet e zakonshme nuk kanë sjellë përmirësim në lojën e ekipit. Nga ndeshja në ndeshje, Lushnja po fundoset më thellë në krizë, dhe çdo përpjekje për të rikuperuar ngjan më shumë si një përpëlitje e fundit se sa si një strategji e vërtetë.
KRIZË NË KS LUSHNJA, ZËRI I SPECIALISTËVE: “S’KA MË JUSTIFIKIME, DUHET NDRYSHIM RRËNJËSOR!”
Verdhejeshilët ndodhen në pikën më të ulët; ata marrin kritika nga të gjitha anët: trajneri Biçaj, drejtuesit e klubit dhe lojtarët janë nën “shënjestër” për krizën që po fundos një nga klubet historike të futbollit lushnjar.
Ndërsa tifozët lushnjarë, të njohur për pasionin e tyre të pashoq, janë të zhgënjyer dhe po kërkojnë ndryshime rrënjësore në çdo hallkë të klubit, nga drejtuesit dhe stafi teknik, te vetë lojtarët. Për ta, ekipi që sot vuan në fushë nuk përfaqëson ngjyrat, historinë dhe krenarinë e Lushnjës.
Drejtuesit shpesh janë përpjekur të gjejnë justifikime tek arbitrat, por tifozët nuk kërkojnë më alibi — ata kërkojnë përgjegjësi, transparencë dhe përkushtim. Ajo që shihet sot është një ekip pa shpirt gare, pa lidership dhe pa vizion.
Për një qytet me traditë futbolli si Lushnja, ky realitet është i papranueshëm. Futbolli është pjesë e identitetit të këtij qyteti, dhe mbështetja e tifozëve ka qenë gjithmonë e palëkundur. Por kjo besnikëri duhet të përballet me përgjegjësi dhe profesionalizëm nga ata që kanë në dorë fatet e klubit.
Pyetja është e thjeshtë: deri kur do të zgjasë kjo agoni? Sa ndeshje do duhen që drejtuesit të kuptojnë se koha për justifikime ka kaluar? Lushnja meriton më shumë, jo vetëm për të kaluarën e lavdishme, por për qytetarët që çdo javë ndjekin me shpresë një ndryshim që nuk vjen kurrë.
Zgjimi duhet të nisë tani. Përndryshe do të ndëshkohemi të gjithë, drejtuesit, trajneri, lojtarët, me një faqe të re të zezë në historinë e futbollit lushnjar.
Koha për veprim është tani, para se të jetë tepër vonë.


