a16z ka ndalur përkohësisht programin TxO, i krijuar për të mbështetur themelues pa qasje në rrjete tradicionale investimesh, ndërsa pjesë e stafit është larguar nga puna.
Andreessen Horowitz ka vendosur të pezullojë programin “Talent x Opportunity” (TxO), i cili prej vitit 2020 mbështeste sipërmarrës që nuk kishin lidhje me rrjetet e zakonshme të kapitalit sipërmarrës. Vendimi është bërë i ditur nga disa burime, përfshirë themelues që kanë qenë pjesë e programit.
TxO u prezantua në kulmin e mbështetjes globale për themelues nga komunitete të nënpërfaqësuara, pas vrasjes së George Floyd. Programi nisi me 2.2 milionë dollarë angazhime fillestare, ndërsa bashkëthemeluesi i a16z, Ben Horowitz, dhe bashkëshortja e tij Felicia, premtuan të përputhnin deri në 5 milionë dollarë të tjerë, raporton TechCrunch
Programi u ofronte pjesëmarrësve qasje në rrjete teknologjike, trajnime 16-javore dhe një investim prej 175,000 dollarësh përmes një fondi bamirësie të administruar nga Tides Foundation. Në total, TxO mbështeti mbi 60 kompani, mes tyre Brown Girl Magazine, Myles Comfort Foods dhe Villie, që fokusohen në media, ushqim dhe teknologji të kujdesit për nënat.
Megjithatë, struktura si fond bamirësie, jo si fond klasik investimesh, solli debat që në fillim. Paratë e dhëna nga mbështetësit klasifikoheshin si donacione, jo si investime të tipit “limited partner”, çka e veçonte programin nga modelet e zakonshme të kapitalit sipërmarrës.
Pavarësisht kritikave, shumë themelues kanë deklaruar se TxO u ka ofruar mundësi reale dhe lidhje me sektorin, të cilat nuk do t’i kishin pasur ndryshe. Vitin e kaluar, programi u zgjerua me një skemë grantësh prej 50,000 dollarësh për organizata jofitimprurëse që mbështesin sipërmarrës nga komunitete të margjinalizuara.
Cohorti i fundit i TxO u shpall në mars 2025. Më 16 tetor, pjesëmarrësit morën një e-mail nga partneri i a16z, Kofi Ampadu, ku njoftohej se programi do të vihej në pauzë për rishikim. Në mesazh ai theksoi se qëllimi mbetet i njëjtë, por modeli i ofrimit të mbështetjes do të rikonceptohet.
Ampadu shkroi se gjatë pesë viteve programi ka testuar formate të ndryshme, nga mësimi virtual e deri te ai fizik, dhe se tani a16z synon ta integrojë modelin e mbështetjes në strategjinë e saj më të gjerë të investimeve në faza të hershme.
Dy burime thanë se të paktën tre anëtarë të stafit të TxO janë larguar nga puna, me fundin e tetorit si ditën e fundit të tyre. Vetë a16z ka konfirmuar mbylljen e programit në këtë formë.
Vendimi vjen në një klimë ku shumë kompani teknologjike kanë rimenduar ose zvogëluar angazhimet publike që lidhen me diversitetin, përfshirjen dhe barazinë, ndërsa disa presione politike në SHBA e kanë bërë këtë temë më të diskutueshme. Ndërkohë, a16z ka nisur programe të tjera mbështetëse, si Speedrun, që u ofron ekipeve deri në 1 milion dollarë investim.
Në komunitetin e startup-eve, pauza e TxO shihet si një sinjal i fortë për ndryshimin e qasjes së industrisë ndaj mbështetjes për themelues të nënpërfaqësuar, në një moment kur akses i barabartë në kapital vazhdon të mbetet sfidë.


