Korrigjimet në buxhet dhe bonusi i pensionistëve

Qeveria miraton ndryshimet në buxhetin 2025, duke përfshirë rritjen e fondit të bonusit të pensionistëve deri në 15 mijë lekë për kategoritë me pensione më të ulëta.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Ekonomisë Aktin Normativ me ndryshimet në buxhetin e vitit 2025, i cili u miratua pas riformatimit të Këshillit të Ministrave pas zgjedhjeve të 11 majit. Malaj theksoi se ndryshimet synojnë t’i përgjigjen nevojave të institucioneve dhe të shtresave më të cenueshme.

Sipas ministrit, një pjesë e rëndësishme e rialokimeve lidhet me sigurimin e fondeve shtesë për bonusin e fundvitit për pensionistët, një praktikë që qeveria e quan tashmë të konsoliduar. Totali i fondeve të akorduara për këtë qëllim arrin në rreth 9.7 miliardë lekë, ose rreth 97 milionë euro.

Nga kjo shumë, 1.7 miliardë lekë i shtohen buxhetit të skemës së pensioneve, ndërsa 5.9 miliardë lekë dedikohen posaçërisht bonusit të fundvitit për rreth 756 mijë pensionistë. Kjo shtesë, sipas ministrit, vjen pothuajse tërësisht nga rritja e kontributeve në skemë.

Malaj sqaroi edhe masën e bonusit të këtij viti: pensionistët me pension deri në 20 mijë lekë do të marrin 15 mijë lekë, ndërsa ata me pension mbi 20 mijë lekë do të përfitojnë bonus prej 10 mijë lekësh. Ai shtoi se deri në fund të mandatit, pensioni minimal mesatar synohet të arrijë 200 euro, dhe ai urban 400 euro.

Në buxhet janë parashikuar edhe rialokime të tjera: AKSHI përfiton 1.2 miliardë lekë për mirëmbajtjen e sistemeve dixhitale dhe integrimin e platformave të inteligjencës artificiale, ndërsa Ministria e Mbrojtjes rishpërndan 1.5 miliardë lekë për nevojat operacionale të Forcave të Armatosura.

Policia e Shtetit, Garda e Republikës dhe Gjendja Civile marrin së bashku rreth 650 milionë lekë shtesë për punë jashtë orarit dhe detyra operative, veçanërisht për sezonin turistik. Ndërkohë, Ministria e Arsimit përfiton 329 milionë lekë për pagat e mësuesve dhe financimin e teksteve falas.

Sa i takon shpenzimeve kapitale, Malaj tha se prioritet mbeten infrastruktura, energjia, teknologjia dhe zhvillimet me ndikim ekonomik. Ministria e Infrastrukturës përfiton rreth 6 miliardë lekë shtesë, për transportin rrugor dhe mbështetjen e Albcontrol, ndërsa AKSHI financohet me 1.6 miliardë lekë për digjitalizimin e shërbimeve.

Në nivel vendor, parashikohen 200 milionë lekë shtesë nga ndarja e taksave dhe 154.6 milionë lekë për shpërblime për zjarrfikësit në bashkitë më të prekura nga zjarret gjatë verës.

Në përfundim, Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore miratoi Aktin Normativ, duke i hapur rrugë zbatimit të ndryshimeve në buxhetin e vitit 2025.

Ndaj Postimin: