Presioni ndaj SPAK-ut dhe pengesat në drejtësi përballë krimit dhe politikës

Altin Dumani paralajmëron për ndikime të jashtme, mungesë statusi për prokurorët dhe pengesa në ekstradime që po dëmtojnë hetimet ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka raportuar në Kuvend mbi ecurinë e punës së SPAK gjatë vitit 2024, duke ngritur alarmin për presionet e shumta që po ushtrohen ndaj institucionit që ai drejton.

Në raportin e paraqitur, Dumani theksoi se kërcënimet dhe ndikimet politike, kriminale dhe mediatike po rrezikojnë drejtpërdrejt pavarësinë kushtetuese të SPAK dhe besueshmërinë e hetimeve të tij. Ai kërkoi një reagim institucional të menjëhershëm për të mbrojtur integritetin e prokurorëve dhe procesin hetimor.

Sipas tij, krimi i organizuar dhe politika janë bërë pengesë për funksionimin normal të drejtësisë së posaçme. “Presioni i jashtëm ndaj SPAK nga krimi, politika dhe media cenon efektivitetin e hetimeve,” deklaroi Dumani para deputetëve.

Një ndër shqetësimet kryesore që ai ngriti lidhet me mungesën e një përcaktimi të qartë ligjor për statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit të tyre. Sipas Dumanit, kjo paqartësi ligjore mund të ndikojë negativisht në vazhdimësinë e hetimeve dhe në ruajtjen e standardeve profesionale të kërkuara nga qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ai nënvizoi gjithashtu se nuk është adresuar ende çështja e këshilltarëve ligjorë pranë SPAK, duke theksuar se mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara e vë institucionin në vështirësi në ndjekjen e dosjeve në të gjitha nivelet e gjykatës.

Dumani theksoi edhe problematikën e mungesës së referimeve nga institucionet publike dhe Policia e Shtetit në rastet që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, një boshllëk që sipas tij pengon ndërtimin e një zinxhiri të plotë hetimor.

Një tjetër çështje e rëndësishme që mbetet pezull është përfundimi i sistemit të ri të administrimit të çështjeve (Case Management System). Sipas Dumanit, zhvillimi i moduleve ka përfunduar në fund të vitit 2024, por procesi është bllokuar për shkak të ndërprerjes së projektit mbështetës nga ICITAP dhe pritet të përmbyllet gjatë 2025 me fonde nga Bashkimi Europian.

Në raport u përmend edhe domosdoshmëria për ngritjen e një njësie të analizës që do të mbështesë hetimet komplekse, matjet e riskut dhe raportimet në kuadër të negociatave me BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Dumani shpjegoi se kjo nismë po zhvillohet me ndihmën e ekspertëve të huaj, me synimin për të përshtatur një model funksional që i përgjigjet kërkesave të veçanta të SPAK-ut.

Ndërkaq, mbetet problematik edhe statusi i specialistit ndërlidhës në sektorin e bashkëpunimit ndërkombëtar, i cili, sipas ligjit aktual, trajtohet si nëpunës civil, gjë që bie ndesh me funksionet që parashikon ligji për institucionet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Një tjetër pengesë serioze është mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave nga autoritetet e huaja në lidhje me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja ndaj shtetasve shqiptarë, çka sipas Dumanit kufizon rolin e SPAK në bashkëpunimin ndërkombëtar.

Në fund të fjalës së tij, kreu i SPAK u ndal te problemi më i ndjeshëm: mos-ekstradimi i shtetasve shqiptarë të arrestuar ose lokalizuar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai e quajti këtë “një pengesë të vazhdueshme që dëmton procesin e drejtësisë dhe besimin e publikut në luftën ndaj korrupsionit”.

Raporti i Dumanit vjen në një moment ku SPAK-u ndodhet në qendër të debatit publik për rolin e tij në çmontimin e rrjeteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke kërkuar më shumë mbështetje politike dhe institucionale për të vijuar punën pa frikë dhe pa ndërhyrje.

Ndaj Postimin: