Përkeqësohet gjendja e grevistëve në Fier pas 12 ditësh urie

Dy grevistë, Dorjan Dylmishi dhe Dritan Rrapushi, janë në gjendje të rënduar shëndetësore pas 12 ditësh greve urie, por mbeten të vendosur në kërkesat e tyre.

Greva e urisë e nisur nga punonjësit e Bankers Petroleum në Fier ka hyrë në ditën e saj të dymbëdhjetë, ndërsa shëndeti i pjesëmarrësve po përkeqësohet ndjeshëm. Sot, dy prej grevistëve, Dorjan Dylmishi dhe Dritan Rrapushi, kanë shfaqur shqetësime serioze për shkak të lodhjes dhe mungesës së ushqimit.

Sipas burimeve nga terreni, ekipi mjekësor ka mbërritur menjëherë në ambientet e sindikatës me një ambulancë për të ofruar ndihmën e nevojshme. Pas ekzaminimeve, mjekët kanë vendosur që Dorjan Dylmishi të transportohet drejt Spitalit Rajonal të Fierit për trajtim më të specializuar, pasi gjendja e tij është konsideruar më e rënduar.

Ndërkohë, Dritan Rrapushi po monitorohet në vend nga ekipi shëndetësor, nën kujdes të vazhdueshëm. Pavarësisht përkeqësimit të shëndetit, të dy grevistët kanë refuzuar të ndërpresin protestën, duke deklaruar se “nuk do të tërhiqen pa u dëgjuar zëri i tyre”.

Mjekët paralajmërojnë se vazhdimi i grevës mund të ketë pasoja të rënda për organizmin, veçanërisht për ata që kanë qëndruar pa ushqim për ditë të tëra. Ata u kanë bërë apel autoriteteve që të ndërhyjnë për të gjetur një zgjidhje të menjëhershme para se situata të përkeqësohet më tej.

Greva e urisë ka nisur si formë proteste ndaj mosrealizimit të kërkesave të punonjësve të Bankersit, të cilat lidhen me kushtet e punës dhe trajtimin financiar. Pavarësisht disa thirrjeve për dialog, palët ende nuk kanë arritur në një marrëveshje.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa në ambientet e sindikatës ndodhen kolegë dhe familjarë të grevistëve, të cilët shprehin shqetësim për gjendjen e tyre, por njëkohësisht edhe mbështetje të plotë për vendosmërinë që po tregojnë në mbrojtje të të drejtave të tyre.

Ndaj Postimin: