Sefa: Fundjavë me fermerin, mbështetje dhe dialog në zemër të bujqësisë!

Çdo fundjavë, kryetarja e Bashkisë Lushnje, znj. Eriselda Sefa, zgjedh të jetë pranë njerëzve që mbajnë gjallë ekonominë rurale, fermerëve.

Takimet në terren janë kthyer tashmë në një traditë, ku përmes bisedave të drejtpërdrejta, Sefa jo vetëm njeh sfidat reale të bujqësisë, por edhe ndërton ura bashkëpunimi të qëndrueshme me komunitetin.

Këtë fundjavë, ndalesa ishte në fermën e Islam Dervishajt në fshatin Golem. Familja Dervishaj është e angazhuar plotësisht në sektorin bujqësor, duke investuar me përkushtim dhe me vizion të qartë për zhvillim. Aktualisht, ata kanë ndërtuar 8 dynym serra moderne në zonën e Plugut dhe janë në proces për të zgjeruar investimin me edhe 15 dynym të tjerë.

Gjatë takimit, znj. Sefa u shpreh se familje të tilla janë modeli më i mirë i suksesit në kushte të vështira ekonomike. Ajo vlerësoi vendosmërinë dhe pasionin e tyre për të ndërtuar një sipërmarrje të qëndrueshme bujqësore dhe garantoi se Bashkia Lushnje do të vijojë të jetë një partnere e fermerëve përmes mbështetjes me projekte, infrastrukturë dhe shërbime teknike.

“Ky është një nga rastet që na jep forcë dhe bindje se bujqësia ka të ardhme, nëse e mbështesim me politika të drejta dhe me praninë tonë të përditshme në terren,” u shpreh Sefa.

Vizita përfundoi me një bashkëbisedim të hapur mes kryebashkiakes dhe anëtarëve të familjes Dervishaj, ku u theksuan edhe disa nga nevojat më të ngutshme për këtë sektor, si mungesa e fuqisë punëtore dhe nevoja për subvencione më të mëdha për fermerët e vegjël dhe të mesëm.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: