Flamurtari kërkon transparencë pas golit të dyshimtë të Teutës në Durrës

Pas humbjes 3-2 ndaj Teutës, Flamurtari ngre dyshime për një gol të diskutueshëm dhe kërkon sqarim publik nga organizatorët e kampionatit.

Skuadra e Flamurtarit ka reaguar me tone të forta pas humbjes së ngushtë në transfertë kundër Teutës me rezultatin 3-2, në një ndeshje të mbushur me tension dhe polemika. Klubi vlonjat ka publikuar një deklaratë zyrtare ku kërkon shpjegime për një episod që, sipas pamjeve filmike, ka lënë shumë pikëpyetje mbi vendimet e arbitrave.

Në qendër të debatit është goli i Boçit, që i dha avantazhin 3-1 skuadrës durrsake. Nga pamjet e publikuara, lojtari i Teutës duket se ndodhej në pozicion jashtë loje në momentin e realizimit, çka ka ngritur dyshime për vlefshmërinë e golit dhe ka shkaktuar zemërim në kampin kuqezi.

Në reagimin e tyre, drejtuesit e Flamurtarit theksojnë se nuk kërkojnë justifikime për rezultatet, por kërkojnë qartësi dhe drejtësi për mbarëvajtjen e garës. “Flamurtari F.C. nuk kërkon asnjë alibi për ecurinë apo rezultatet në fushë. Klubi ynë mban përgjegjësi të plotë për performancën sportive,” thuhet në njoftim.

Megjithatë, klubi i Vlorës i është drejtuar organizatorëve të kampionatit, duke kërkuar një sqarim publik dhe transparent për rastin e diskutueshëm. “Çfarë është ky rast? Çfarë po ndodh dhe pse?”, janë pyetjet që Flamurtari i drejton institucioneve përgjegjëse për administrimin e garës.

Në deklaratë, theksohet se futbolli duhet të udhëhiqet nga ndershmëria, respekti dhe barazia e rregullave për të gjithë, ndërsa kërkohet që çdo vendim i dyshimtë të trajtohet me transparencë për të ruajtur besimin e publikut dhe të tifozëve në garën sportive.

Reagimi i Flamurtarit është shoqëruar edhe me videon e golit të kontestuar, e cila është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke ndezur diskutime të shumta mes tifozëve. Ky episod pritet të ngjallë debat edhe në ditët në vijim, ndërsa klubi vlonjat kërkon që drejtësia në futboll të mos mbetet vetëm në fjalë, por të vihet realisht në zbatim.

Ndaj Postimin: