Mazhaj, Panairi i Martirizimit të Shën Dhimitrit, traditë që ruan besimin dhe trashëgiminë!

Fshati Mazhaj, më 26 tetor, kremton prej më shumë se 25 vitesh Panairin e Martirizimit të Shën Dhimitrit, një festë e palëvizshme në kalendarin ortodoks, e kthyer tashmë në një ngjarje të përvitshme shpirtërore dhe kulturore për gjithë zonën.

Kisha e Shën Dhimitrit, e rikonstruktuar së fundmi, dhe sheshi përpara saj, janë realizuar me një investim dhe mbështetje të Bashkisë Lushnjë, veçanërisht të kryebashkiakes Eriselda Sefa. Sot ajo qëndron madhështore si një simbol i fortë i besimit dhe unitetit të komunitetit. Ambientet përreth janë përmirësuar ndjeshëm, duke e kthyer këtë hapësirë në një pikë referimi të rëndësishme për besimtarët ortodoksë.

Në oborrin e kishës ndodhet edhe një rrap shekullor, monument natyre me një perimetër trungu rrethor prej 7 metrash e 60 centimetrash, si dhe elementë të tjerë natyrorë që i japin një dimension të rrallë këtij vendi të shenjtë.

Panairi sjell çdo vit promovimin e traditës: amvisat përgatisin ëmbëlsira tradicionale, familjet festojnë ditën e diel në oborrin e kishës, ndërsa të shtunën në mbrëmje besimtarët ndezin qirinj dhe falen në heshtje deri në orët e vona të natës. Kjo atmosferë e qetë dhe e devotshme ruan në mënyrë autentike frymën e martirizimit dhe përkushtimit fetar.

Ekonomati Tertio Gjoka, në një prononcim për TV Apollon, u shpreh falënderues për ndihmën institucionale dhe kontributet e besimtarëve të zonës, të cilët me kursimet e tyre ndihmojnë në mirëmbajtjen e kishës. Festa, përtej aspektit shpirtëror, mbetet një panair bashkimi dhe identiteti për Mazhajn.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: