Ndeshje dramatike në Qipro, Shqipëria e femrave ndalet pas përmbysjes

Shqipëria e vajzave u mund me rezultatin 3-2 nga Qipro në sfidën e parë të fazës play-out të UEFA Nations League, pavarësisht një fillimi të shkëlqyer dhe dominimit në shumë momente të lojës.

Në stadiumin “Antonis Papadopoulos”, ekipi kombëtar i vajzave shqiptare nisi ndeshjen me synimin për të siguruar një rezultat pozitiv në përballjen e parë të fazës play-out. Trajneri Armir Grima zgjodhi formacionin me Hyskën në portë dhe emra si Doçi, Hilaj, Hamonikaj e Krasniqi në formacionin titullar, duke kërkuar një lojë të shpejtë dhe me presion të vazhdueshëm.

Megjithëse minutat e para ishin në favor të Qipros, vajzat kuqezi reaguan pas minutës së 15-të duke marrë iniciativën dhe duke rrezikuar disa herë portën kundërshtare. Në minutën e 23-të, Megi Doçi ishte pranë golit pas një depërtimi të shpejtë, por portierja qipriote reagoi në mënyrë perfekte.

Shqipëria zhbllokoi rezultatin në minutën e 29-të me një goditje dënimi të ekzekutuar saktë nga Doçi. Kapitenia kuqezi e dërgoi topin në rrjetë me një gjuajtje tokazi, duke i dhënë avantazhin skuadrës sonë. Vetëm pak minuta më vonë, e njëjta lojtare realizoi një tjetër perlë nga 40 metra, duke e çuar rezultatin në 2-0 dhe duke ndezur entuziazmin në radhët e kombëtares.

Por gëzimi zgjati pak. Qipro reagoi shpejt dhe në minutën e 43-të shënoi golin e parë, ndërsa në fundin e pjesës së parë barazoi rezultatin 2-2. Shqipëria pati një tjetër mundësi në shtesë, por tentativa e Hamidit nuk u konkretizua.

Në pjesën e dytë, vajzat e tona mbajtën nën kontroll ritmin e lojës dhe kërkuan me ngulm avantazhin. Krasniqi dhe Troka patën rastet më të pastra, por pa arritur të dërgojnë topin në rrjetë. Pavarësisht dominimit të tyre, Qipro përfitoi nga një moment i vetëm dhe në minutën e 83-të shënoi golin e tretë, duke siguruar fitoren.

Sfida u mbyll me rezultatin 3-2 në favor të vendasve. Shqipëria tregoi karakter dhe dëshirë për fitore, por mungesa e saktësisë në finalizim bëri diferencën. Vajzat kuqezi do të kërkojnë përmbysjen më 28 tetor në stadiumin “Air Albania”, ku do të vendoset fati i qëndrimit në Ligën B të Nations League.

Ndaj Postimin: