Një tender prej 220 milionë lekësh i dhënë pa garë nga kryebashkiakja Juliana Memaj në Dimal ngjall dyshime për blerjen politike të kreut të PD-së në Kuçovë, Nerian Pasho.
Një kontratë publike e nënshkruar në fund të shtatorit nga Bashkia Dimal ka ndezur alarmin për korrupsion dhe konflikt interesi. Kompania “3 V – PASHO” sh.p.k., e themeluar nga vetë kreu i PD-së në Kuçovë, Nerian Pasho, fitoi tenderin prej 220 milionë lekësh që mbart shenja të qarta favorizimi politik.
Kryetarja e bashkisë, Juliana Memaj, e njohur për lidhjet e forta me qeverinë dhe tenderat e kontestuar, ka zhvilluar një procedurë me vetëm një pjesëmarrës, duke mënjanuar çdo konkurrencë reale në tregun e ndërtimit. Pjesëmarrja e vetme e kompanisë së Pashos ngre dyshime të forta për një pakt të heshtur mes socialistëve dhe opozitës lokale.
Tenderi, me objekt “Përmirësimin e banesave ekzistuese për komunitetet e varfra”, është mbajtur më 9 shtator 2025 dhe shpallur fitues më 30 shtator. “3 V – PASHO” sh.p.k. ofroi një shumë pothuajse identike me fondin limit, duke nënshkruar një kontratë me afat pesëmujorsh. Sipas “Open Data Albania”, ky tender është shënuar me “flamur të kuq”, sinjal që tregon risk të lartë korrupsioni dhe mungesë transparence.
Në pamje të parë, projekti parashikon rindërtimin e 23 banesave për familje të varfra në zona rurale të Dimalit. Por pas premtimeve humanitare, fshihet një marrëveshje që favorizon politikisht Pashon, i cili prej vitit 2022 drejton degën e Rithemelimit në Kuçovë. Kjo e bën edhe më të dyshimtë ndarjen e fondit publik për kompaninë e tij.
Banesat që do të rindërtohen janë njëkatëshe, me sipërfaqe rreth 60 m2, dhe përfshijnë ambiente bazike për strehim. Megjithatë, kostoja e lartë dhe mungesa e konkurrencës krijojnë dilema mbi realitetin e punimeve dhe mënyrën se si është përdorur buxheti i shtetit.
Në fakt, tenderi duket më shumë si një mjet politik për “neutralizimin e butë” të kundërshtarit sesa si ndihmë për familjet në nevojë. E njëjta skemë është përdorur më herët edhe në raste të tjera nga qeveria, përmes kontratave publike që shpërblejnë ish-oponentë të opozitës pas afrimit me pushtetin.
Krahasimet janë të qarta: pas ndarjes nga Berisha, edhe ish-deputeti i PD-së Agron Kapllanaj përfitoi miliona përmes kompanisë “Shkëlqimi 07”. Këto shembuj tregojnë një model të përsëritur – përdorimin e tenderave për blerje politike dhe kontroll lokal.
Juliana Memaj, nga ana e saj, nuk është një figurë pa hije. Aktualisht ajo përballet me një hetim nga SPAK për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”, pasi në vitin 2020 Bashkia Dimal shkatërroi pronën e familjes Baho në Poshnje, çka solli një kallëzim penal ndaj saj.
Megjithë këtë, Memaj vijon të gëzojë mbështetjen e fortë të kryeministrit Edi Rama, i cili duket se e sheh si një instrument të dobishëm për të ruajtur kontrollin mbi bashkitë e qarkut Berat.
Rasti i fundit i Dimalit dëshmon se korrupsioni në tendera nuk është më thjesht aferë financiare, por strategji politike për të blerë heshtjen dhe përçarjen e opozitës lokale. Dhe kjo praktikë, ndonëse e njohur, po dëmton çdo ditë besimin publik te institucionet dhe drejtësia.
Në fund, mbetet pyetja: a janë 23 familjet e varfra thjesht një mbulesë për një pazar të pistë politik, apo viktimat e radhës të një sistemi që nuk njeh as ndershmëri dhe as garë të ndershme?


