Operacioni “Casus” zbardh trafikun e kanabisit në Roskovec

Policia e Fierit arreston një 31-vjeçar nga Roskoveci që shpërndante lëndë narkotike, ndërsa në banesën e tij u sekuestruan 3.6 kilogramë kanabis, para dhe pajisje ndarjeje.

Një tjetër operacion i suksesshëm antidrogë është finalizuar në qarkun e Fierit, ku policia goditi një rast të shpërndarjes së kanabisit në zona urbane dhe rurale të Roskovecit. Operacioni, i koduar “Casus”, u drejtua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën Operacionale.

Sipas burimeve zyrtare, i arrestuari është 31-vjeçari J. Ç., banues në Roskovec, i cili dyshohet se siguronte lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa dhe e ndante në doza të vogla për t’i shitur në treg. Policia ndërhyri në momentin kur ai po përgatiste doza të reja për shpërndarje.

Gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesën e tij, forcat e rendit zbuluan dhe sekuestruan 3.6 kilogramë kanabis, pjesërisht të ndarë për shitje. Krahas lëndës narkotike, u gjet edhe një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e dozave.

Në vijim të kontrollit, hetuesit gjetën një shumë të konsiderueshme parash, të dyshuar si fitim nga aktiviteti i paligjshëm, si dhe dy aparate celularë që dyshohet se përdoreshin për komunikim me blerësit dhe bashkëpunëtorët.

Policia nënvizon se operacioni “Casus” u bazua në informacion të mbledhur në rrugë operative, i cili u menaxhua me shpejtësi për të kapur autorin në flagrancë. Ky reagim i menjëhershëm parandaloi shpërndarjen e një sasie të konsiderueshme të lëndës narkotike në treg.

Burime nga komisariati i Fierit bëjnë të ditur se hetimet po zgjerohet për të zbuluar rrjetin e furnizimit dhe klientët e mundshëm të 31-vjeçarit. Ka dyshime se ai mund të ketë qenë pjesë e një strukture të vogël lokale që shpërndante drogë në zona të ndryshme të qarkut.

Operacioni “Casus” është pjesë e një fushate të gjerë të Policisë së Shtetit për frenimin e tregtisë së kanabisit dhe substancave të tjera narkotike, veçanërisht në zonat e jugut ku rastet e kultivimit dhe shpërndarjes janë më të shpeshta.

Materialet hetimore tashmë i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila do të drejtojë veprimet e mëtejshme ligjore ndaj të arrestuarit.

Ndaj Postimin: