Deklaratat e kryeministrit Edi Rama në panelin e Londrës ndezën reagime të forta në Britani, pas kritikave të tij për Brexit dhe qëndrimin ndaj emigrantëve shqiptarë.
Fjalimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama në panelin “Ballkani Perëndimor dhe BE”, zhvilluar në Londër, ka shkaktuar debat dhe reagime të ashpra në median dhe politikën britanike. Rama tha se Brexit e ka çuar Britaninë në depresion dhe ka ndikuar në rritjen e numrit të emigrantëve që kalojnë kanalin me gomone, deklaratë që u interpretua si provokim në qarqet konservatore britanike.
Gjatë diskutimit, Rama kujtoi sulmet e politikanëve britanikë që kanë përmendur emigrantët shqiptarë si kriminelë dhe përgjegjës për mbushjen e burgjeve angleze. Ai theksoi se “bashkëpunimi më i ngushtë midis vendeve është mënyra e vetme për të luftuar migracionin e paligjshëm”, duke ironizuar Nigel Farage, një nga figurat më të njohura të kampit pro-Brexit.
“Farage nuk është problemi, por pasqyra e një vendi me probleme të brendshme që ai i shfrytëzon me talent teatral,” u shpreh Rama, në deklarata që më pas u publikuan nga tabloidi britanik “Daily Express”.
Por kjo deklaratë nuk u prit mirë. I njëjti medium publikoi një reagim të fortë nga një zyrtar i Ministrisë së Brendshme Britanike, i cili tha: “Edi Rama nuk ka idenë për çfarë po flet. Nëse ai do ta bënte punën e tij, shqiptarët nuk do të largoheshin me mijëra drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ai duhet të kalojë më pak kohë duke dhënë leksione dhe më shumë kohë duke marrë mbrapsht kriminelët shqiptarë që mbushin burgjet tona.”
Ndërkohë, tabloidi “The Mirror” publikoi një tjetër pjesë të fjalimit të Ramës, ku ai u shpreh ende i zemëruar ndaj ish-sekretares së Brendshme, Suella Braverman, e cila në të kaluarën kishte sulmuar publikisht emigrantët shqiptarë. “Mos u merr me shqiptarët, sepse nëse të mallkojnë, zhdukesh,” tha Rama me ironi.
Në vijim, ai u bëri thirrje politikanëve britanikë që të përmendin shqiptarët vetëm për arsye të mira, duke i kërkuar t’i japin fund fjalimeve që nxisin urrejtje dhe paragjykime. Megjithatë, reagimet e ashpra në shtypin britanik tregojnë se fjalët e tij kanë prekur një nerv të ndjeshëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.