Sigurimi i ri për makinat: shoferët problematikë do të paguajnë më shumë nga 2026

Nga 1 janari 2026, hyn në fuqi sigurimi i diferencuar për automjetet në Shqipëri. Shoferët me histori aksidentesh do të paguajnë më shtrenjtë, ndërsa të kujdesshmit do të shpërblehen me ulje.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka njoftuar se duke filluar nga viti 2026, sigurimi i automjeteve do të përcaktohet në bazë të sjelljes së drejtuesve në rrugë. Sipas drejtoreshës Mimoza Kaçi, modeli i ri “bonus-malus” synon të krijojë një sistem më të drejtë dhe edukues për shoferët shqiptarë.

Sistemi funksionon në mënyrë të thjeshtë: ata që kanë shkaktuar aksidente do të paguajnë siguracion më të lartë, ndërsa drejtuesit e kujdesshëm do të përfitojnë zbritje. “Kjo është një mundësi për të ndryshuar perceptimin e qytetarëve dhe për të nxitur kujdesin në drejtimin e mjeteve,” u shpreh Kaçi gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë.

Sipas të dhënave të AMF-së, 3.8% e drejtuesve të automjeteve në vend janë përfshirë në aksidente, duke përbërë grupin që do të penalizohet me rritje të çmimit të sigurimit. Pjesa tjetër do të përfitojë nga sistemi i bonuseve që pritet të ndikojë pozitivisht në sjelljen rrugore.

Kaçi bëri të ditur se po përgatitet edhe ligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, duke theksuar se Shqipëria mbetet një vend me risk të lartë sizmik. “Ky sigurim minimal do t’u garantojë qytetarëve mbulim bazë, me mundësi shtesë për ata që duan mbrojtje më të gjerë,” sqaroi ajo.

Ndërkohë, AMF po punon paralelisht për rregullimin e tregut të kriptovalutave, me synimin që gjatë këtij viti të publikohet një draft për konsultim publik. Kjo pritet të vendosë korniza të qarta ligjore për një treg që aktualisht operon pa mbikëqyrje.

Në vitin 2024, Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar rreth 11 milionë euro në kriptomonedha, çka tregon rritjen e këtij fenomeni në vend dhe nevojën për mbikëqyrje të menjëhershme ligjore. Sipas AMF-së, këto reforma synojnë të vendosin standarde më të forta për sigurinë, transparencën dhe përgjegjshmërinë financiare në Shqipëri.

Ndaj Postimin: