INVESTIGIM: Fasada e gjelbër e Bashkisë Fier dhe mashtrimi i quajtur “Paketa e Maleve”

Bashkia Fier po përpiqet të shesë si zhvillim atë që në fakt është një projekt bosh, ku “Paketa e Maleve” shërben vetëm si perde tymi për mungesën e mbështetjes ndaj fermerëve dhe pronarëve të tokës.

Në pamje të parë, “Paketa e Maleve” tingëllon si një mundësi për investime dhe zhvillim të zonave rurale. Por në realitet, ajo është kthyer në një plan propagandistik të Bashkisë Fier dhe kryetarit të saj Armando Subashi, në mbështetje të politikës qëndrore dhe kryeministrit Edi Rama, për të mbuluar dështimet e saj në mbështetjen e bujqësisë dhe pronës private.

Në vend që të mbështesë fermerët, kjo administratë po i largon ata nga toka. Në zonat bregdetare të Fierit, si në Seman, fermerët po përballen me shpronësime masive për t’i hapur rrugë ndërtimit të paneleve diellore. Aty ku dikur mbillej gruri dhe perimet, sot ngrihen struktura metalike që i shërbejnë korporatave energjetike, jo komunitetit lokal.

Kjo politikë tregon qartë se Bashkia Fier nuk është në anën e fermerëve. Ndërkohë që në dokumente flitet për “zhvillim të qëndrueshëm”, realiteti në terren është varfëri, papunësi dhe braktisje e tokës. Shumë familje janë detyruar të emigrojnë, pasi shteti nuk u ofron asnjë mbështetje reale për të jetuar nga puna e tyre.

Vetë “Paketa e Maleve” është konceptuar si një fasadë politike. Ajo premton “identifikimin e zonave me potencial zhvillimi”, por nuk garanton as financime, as mbrojtje ligjore për pronarët që kanë vite të tëra në përdorim të tokës. Shumë prej tyre ndihen të mashtruar nga premtimi për “dokumente ligjore”, pasi proceset burokratike janë të mjegullta dhe të paarritshme për qytetarët e zakonshëm.

Për Bashkinë Fier, duket se më e rëndësishme është fotografia e radhës në rrjete sociale se sa mbrojtja e tokës bujqësore. “Takimet e punës” me njësitë administrative shërbejnë më shumë si spektakël sesa si përpjekje për zhvillim real. Ndërkohë, fermerët që kanë punuar tokën për më shumë se një dekadë mbeten pa garanci ligjore dhe pa të ardhura të qëndrueshme.

Shpërfillja e pronës private është bërë politikë zyrtare. Bashkia Fier, në vend që të forcojë pronësinë dhe prodhimin vendas, po i dorëzon territoret e saj në duart e kompanive të mëdha, duke shkatërruar ekuilibrin midis bujqësisë dhe mjedisit.

Në këtë mënyrë, “Paketa e Maleve” nuk është as reformë dhe as shpresë. Është një mashtrim institucional, që fsheh dështimet e administratës lokale pas termave të zbukuruar. Ndërkohë që toka humbet, qytetarët humbin besimin dhe Fierit i mbetet vetëm propaganda si mburojë për paaftësinë.

Në fund, ajo që duhet të ishte një politikë për zhvillim të qëndrueshëm është kthyer në një shembull klasik të shfrytëzimit politik të resurseve publike. “Paketa e Maleve” është thjesht një premtim bosh, ndërsa realiteti i fshatit fierak mbetet po ai: toka bosh, fermerë të braktisur dhe një shtet që shikon vetëm interesat e vetvetes.

Burime zyrtare – “Paketa e Maleve”

Ndaj Postimin: