Tetori Rozë në Kuçovë: një thirrje për ndërgjegjësim, kujdes dhe solidaritet ndaj shëndetit të gruas!

Në kuadër të “Tetorit Rozë”, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Bashkia Kuçovë, nën kujdesin e veçantë të kryetarit Kreshnik Hajdari, organizoi një aktivitet sensibilizues kushtuar grave dhe vajzave të komunitetit. Ky muaj mbart një mesazh të fortë: ndërgjegjësimi dhe kontrolli i hershëm shpëton jetë!

Aktiviteti, i zhvilluar në ambientet e bashkisë, mblodhi përfaqësues të institucioneve, organizatave, stafit të bashkisë dhe qytetarë të shumtë, për të përcjellë mesazhin e kujdesit ndaj shëndetit të gruas si bazë e një shoqërie të fortë dhe të shëndetshme.

“Nëse një grua është e shëndetshme, është e shëndetshme familja. Dhe nëse është e shëndetshme familja, është e shëndetshme edhe shoqëria”,- ishte fjalia kyçe që udhëhoqi këtë aktivitet simbolik.

U theksua rëndësia e kryerjes së vizitave të rregullta mjekësore dhe ekzaminimeve mamografike, si dhe nevoja për të informuar dhe inkurajuar gratë që të mos e shtyjnë kontrollin mjekësor.

Ky angazhim i Bashkisë Kuçovë është pjesë e një përpjekjeje të gjerë për të ndërtuar një komunitet më të vetëdijshëm dhe më të kujdesshëm, ku shëndeti i grave të mos neglizhohet, por të jetë prioritet i përbashkët.

Mesazhet rozë, buzëqeshjet dhe mbështetja që u përcollën në këtë aktivitet janë një kujtesë se lufta kundër kancerit të gjirit është një betejë që duhet të na bashkojë të gjithëve, me dashuri, forcë dhe solidaritet.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: