Vendimi i ri për aferën e Fierit trondit procesin gjyqësor

Gjykata e Lartë ka urdhëruar që çështja e inceneratorit të Fierit të rigjykohet në Apelin e GJKKO-së, me një trupë të re gjykuese, duke hapur një kapitull të ri në një nga proceset më të përfolura të korrupsionit në vend.

Vendimi u mor sot në Dhomën e Këshillimit, ku Gjykata e Lartë prishi vendimin e mëparshëm të Apelit të GJKKO-së, i cili e kishte dërguar dosjen për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë. Kështu, dosja kthehet në Apel për shqyrtim me një trup gjykues tjetër, pas kërkesave të ngritura si nga prokurori i SPAK, Dritan Prenci, ashtu edhe nga mbrojtja e të pandehurve.

Në vendimin zyrtar, Gjykata e Lartë sqaroi: “Prishjen e vendimit nr.55 (87-2024-383), datë 19.12.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate me tjetër trup gjykues.” Ky akt ndryshon rrjedhën e procesit dhe rikthen në qendër të vëmendjes një aferë që përfshin ish-zyrtarë të lartë dhe biznesmenë të fuqishëm.

Vendimi i parë i GJKKO-së për këtë dosje u dha më 25 shtator 2023, kur ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u dënua me 10 vite burg për korrupsion. Ish-sekretari i përgjithshëm i ministrisë, Alqi Bllako, mori 4 vite burg për shpërdorim detyre, ndërsa biznesmeni Klodian Zoto u dënua me një kombinim akuzash që përfshinin 2 vite për korrupsion pasiv, 7 për mashtrim dhe 8 për pastrim parash.

Në të njëjtën dosje, Pëllumb Abeshi u dënua me 3 vite e gjysmë, Erjon Murataj me 3 vite, ndërsa Loran Dusha dhe Arbër Denizi morën nga 7 vite burg. Të gjithë përfituan ulje dënimi me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa disa u shpallën të pafajshëm.

Ndër të liruarit ishin Arben Dervishaj dhe Juri Imeraj, të cilët u shpallën të pafajshëm për të gjitha akuzat, si dhe Arjola Kodra, e cila u lirua nga akuza për korrupsion. Megjithatë, disa të dënuar kërkuan rishikim në Apel, duke pretenduar se procesi kishte parregullsi ligjore dhe mungesë provash të plota.

Rigjykimi i urdhëruar nga Gjykata e Lartë pritet të rihapë të gjitha çështjet e debatueshme në procesin e inceneratorit të Fierit, një aferë që është kthyer në simbol të akuzave për korrupsion në investimet publike. Vendimi i ri pritet të testojë sërish pavarësinë e drejtësisë shqiptare në trajtimin e dosjeve me ndikim politik e ekonomik.

Ndaj Postimin: