Laguna e Karavastasë, një nga lagunat më të mëdha dhe më të njohura në Shqipëri, vijon të jetë një perlë e natyrës që tërheq çdo ditë dhjetëra turistë vendas dhe të huaj. E vendosur në zemër të Divjakës, kjo lagunë ofron një peizazh të rrallë dhe një botë të pasur të faunës ujore dhe ajrore, ku spikasin veçanërisht zogjtë flamingo, të cilët me ngjyrat e tyre krijojnë një spektakël vizual në çdo orë të ditës.
Kjo zonë është një habitat natyror i mbrojtur, ku zogjtë shtegtarë, përfshirë edhe pelikanin kaçurrel, gjejnë strehë dhe ushqim në ujërat e saj të pasura. Flamingot, me elegancën dhe lëvizjet e tyre, ofrojnë jo vetëm një atraksion turistik, por edhe një dëshmi të rëndësishme të biodiversitetit që kjo lagunë ruan prej dekadash.
Laguna furnizohet nga kanalet natyrore që vijnë nga deti Adriatik, si dhe nga rrjedhat e ujërave të ëmbla që vijnë nga rezervuari i Thanës, duke krijuar një ekosistem të balancuar për jetën ujore dhe shpendët.
Gjatë muajve të verës, pati shqetësime për shkak të uljes së nivelit të ujit, duke alarmuar aktivistët dhe komunitetin lokal. Por natyra tregoi edhe një herë fuqinë e saj: balancimi natyror u rikthye dhe jeta në lagunë rifilloi me të njëjtin ritëm – zogj, peshq, turistë dhe një dashuri e pashtershme për natyrën.
Në mbrëmjet e qeta të vjeshtës, Karavastaja nuk është vetëm një lagunë; është një skenë ku natyra luan shfaqjen më të bukur, duke e kthyer çdo vizitë në një përvojë të paharrueshme.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi