Moriero kërkon ringritjen e Flamurtarit me ndihmë italiane

Pas humbjes ndaj Partizanit në debutimin e tij me Flamurtarin, trajneri Françesko Moriero ka vendosur të forcojë skuadrën me specialistë italianë për përmirësim fizik.

Flamurtari nuk arriti të rikthehej te fitorja në kampionat, pasi u mund në shtëpi nga Partizani, duke zbehur entuziazmin e debutimit të trajnerit të ri, Françesko Moriero. Për teknikun italian, kjo ndeshje ishte një provë e vështirë, por edhe një mësim i vlefshëm për të kuptuar mangësitë që ka ekipi aktualisht.

Pas përfundimit të sfidës, Moriero deklaroi me qartësi: “E di ku duhet të vendos duart”, duke lënë të kuptohej se e kishte identifikuar problemin kryesor të Flamurtarit, përgatitjen fizike. Sipas tij, skuadra pësoi rënie të dukshme në pjesën e dytë, çka ndikoi drejtpërdrejt në rezultat.

Për të përmirësuar këtë aspekt, trajneri ka kërkuar ndihmë nga vendlindja e tij. Klubi vlonjat ka zyrtarizuar afrimin e përgatitësit atletik italian, Kristian Parabita, i cili do të jetë përgjegjës për rritjen e kapacitetit fizik të lojtarëve dhe rikthimin e formës optimale të skuadrës.

Parabita, i cili më parë ka punuar me FC Nola në Serinë D italiane, ka ndërprerë kontratën me klubin e tij për t’iu bashkuar projektit të Morieros në Shqipëri. Vendimi u mor me mirëkuptim mes palëve, duke i hapur rrugë eksperiencës së tij të re në Vlorë.

Kjo nuk është hera e parë që Parabita punon në vendin tonë. Ai ka qenë pjesë e stafit teknik të Dinamos së Tiranës në periudhën kur edhe atë skuadër e drejtonte Moriero. Ky rikthim i bashkëpunimit mes dy italianëve pritet t’i japë skuadrës një frymë të re pune dhe disipline profesionale.

Flamurtari, që kërkon të konsolidohet në Superiore pas një periudhe të gjatë mungese, e sheh këtë lëvizje si pjesë të strategjisë së rindërtimit. Objektivi është i qartë: të rikthejë identitetin e dikurshëm dhe të bëhet sërish një nga skuadrat më konkurruese në elitën shqiptare të futbollit.

Ndaj Postimin: