Një studim i fundit mbi “Hartëzimin e Shërbimeve Sociale në Shqipëri” ka nxjerrë në pah përparime domethënëse në sistemin e kujdesit social, me një rritje prej 56% të shërbimeve të ofruara në të gjitha bashkitë e vendit.
Në një panel diskutimesh të zhvilluar në kuadër të këtij studimi, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Denada Seferi, theksoi se falë këtij zgjerimi është rritur ndjeshëm numri i përfituesve, duke përmirësuar mbulimin dhe aksesin në ndihmë sociale. Pjesë e këtij paneli ishte edhe kryetarja e Bashkisë Lushnje, znj. Eriselda Sefa, e cila ndau përvojën dhe angazhimin e bashkisë në ofrimin e shërbimeve për grupet më në nevojë, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Tipologjitë e reja të shërbimeve, si njësitë e lëvizshme dhe asistenca në shtëpi, po zbatohen me mbështetjen e Fondit Social dhe përfshirjen e profesionistëve të trajnuar të fushës.
Megjithatë, sfidat kryesore mbeten shtrirja më e gjerë në zonat rurale dhe rritja e investimeve për të përmbushur boshllëqet ekzistuese.
Ky proces është pjesë e Programit të Përbashkët të OKB-së “Askush të mos mbetet pas”, i financuar nga qeveria e Zvicrës dhe zbatuar nga UNDP, UNICEF, UNFPA dhe UN Women, në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.