Presidenti ukrainas deklaron se është gati të udhëtojë në Budapest për një samit me Putin dhe Trump, duke kërkuar presion më të fortë ndaj Rusisë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në një takim trepalësh në Budapest me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderin rus Vladimir Putin. Në një intervistë për “NBC News”, pas takimit të fundit me Trump, Zelensky theksoi se pa përfshirjen e palëve kryesore, nuk mund të arrihet një paqe e qëndrueshme.
“Unë jam gati të udhëtoj në Budapest për t’u takuar me ta. Nëse duam një paqe të drejtë, të gjithë duhet të jemi në tryezë. Si mund të ketë marrëveshje pa ne?”, u shpreh Zelensky, duke nënvizuar nevojën për dialog të drejtpërdrejtë në vend të përballjeve përmes ndërmjetësve.
Duke e krahasuar presidentin rus Vladimir Putin me organizatën Hamas, Zelensky tha se “Putin është shumë i ngjashëm me Hamasin, por më i fortë”, duke theksuar se Perëndimi duhet të tregojë më shumë vendosmëri ndaj Moskës sesa ka bërë ndaj konfliktit në Gaza.
Ai e cilësoi Putinin si “terrorist”, por njëkohësisht pranoi se nuk mund të ketë zgjidhje pa praninë e tij në procesin e paqes. “Nëse duam t’i japim fund tragjedisë, duhet të përfshihen të gjitha palët. Pa këtë, çdo marrëveshje do të jetë e përkohshme”, shtoi Zelensky.
Gjatë intervistës, ai bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol më aktiv për ndalimin e agresionit rus, duke kërkuar që administrata amerikane të ushtrojë presion më të fortë diplomatik dhe ekonomik ndaj Kremlinit.
Deklarata e Zelenskyt vjen në një moment kur përpjekjet për paqe janë zbehur dhe Ukraina kërkon të rifitojë mbështetjen ndërkombëtare për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit. Takimi i mundshëm në Budapest shihet si një shans për të rivendosur dialogun e ngrirë midis Kievit dhe Moskës.