Punime të vonuara në fshatin Kryekuq, reagim i vonuar i Bashkisë Divjakë

Pas vitesh neglizhence, Bashkia Divjakë më në fund ka nisur punimet në fshatin Kryekuq, një zonë që për shumë kohë është lënë në harresë dhe infrastrukturë të rrënuar.

Në fshatin Kryekuq të njësisë administrative Remas, më në fund kanë filluar punimet për sistemimin e rrugëve dhe përmirësimin e terrenit. Por, për banorët e zonës, ky ndërhyrje është shumë e vonuar. Prej më shumë se një dekade, segmentet rrugore kanë qenë të shkatërruara, duke vështirësuar lëvizjen, sidomos gjatë stinës së dimrit.

Banorët e Kryekuqit thonë se vetëm pas ankesave të vazhdueshme dhe presionit publik, pushteti vendor vendosi të reagojë. Ata kujtojnë premtimet e përsëritura të bashkisë që “do fillonin së shpejti punimet”, premtime që për vite të tëra mbetën vetëm në letër.

Sipas tyre, çdo mot i keq kthehej në makth: rrugët bëheshin të pakalueshme, fëmijët nuk mund të shkonin në shkollë dhe produktet bujqësore mbeteshin në arë. “Na kujtohen vetëm kur afrohen zgjedhjet”, shprehen banorët, të cilët e shohin këtë ndërhyrje si një lëvizje për të qetësuar pakënaqësinë e komunitetit.

Nga ana tjetër, Bashkia Divjakë pretendon se këto punime janë pjesë e një plani zhvillimi për përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale. Por faktet flasin ndryshe, në terren, shumë projekte të ngjashme mbeten të papërfunduara ose të lëna përgjysmë.

Ky segment rrugor, që lidh disa fshatra me qytetin e Divjakës, ka qenë ndër më të degraduarit në gjithë territorin bashkiak. Gropat, baltërat dhe mungesa e ndriçimit publik e kanë kthyer qarkullimin në një sfidë të përditshme.

Në vend që të kishte plane afatgjata për zhvillim, Bashkia ka preferuar ndërhyrje të pjesshme dhe të vonuara, pa transparencë mbi fondet e shpenzuara. Banorët kërkojnë publikimin e kostos së projektit dhe mbikëqyrjen e punimeve për të shmangur abuzimet që janë bërë të zakonshme në këtë zonë.

Kjo situatë tregon edhe një herë boshllëqet mes propagandës institucionale dhe realitetit në terren. Ndërsa faqet zyrtare flasin për “zhvillim të qëndrueshëm” dhe “kujdes ndaj komunitetit”, fshati Kryekuq ka pritur me vite që të shohë një makinë pune në rrugën e vet.

Nëse Bashkia Divjakë nuk ndryshon ritmin dhe mënyrën e veprimit, çdo investim do të mbetet një fasadë elektorale dhe jo një shërbim real për qytetarët. Fshatarët e Kryekuqit kanë nevojë për rrugë funksionale, jo për deklarata politike dhe punime që fillojnë vetëm kur uji ka arritur në grykë.

Ndaj Postimin: