Një ngjarje e rëndë ka lënë pa fjalë banorët e lagjes, teksa një nënë dhe fëmijët e saj u përfshinë në një tragjedi që askush nuk e priste, duke tronditur komunitetin e qetë të zonës.
Sefer Shkëmbi, banor dhe komshi i familjes, tregoi se e njihte mirë nënën dhe fëmijët. “Unë jam komshi këtu, fëmijët ishin me autizëm ndërsa mamaja ishte mirë,” u shpreh ai me tronditje.
Ai rrëfen se gruaja nuk punonte por kujdesej për fëmijët e saj me përkushtim, ndërsa vetëm bashkëshorti punonte për të siguruar të ardhurat minimale për familjen. “Ishin në kushte të vështira ekonomike, por përpiqeshin të ia dilnin me aq sa kishin,” shton Shkëmbi.
Komshiu tregon se familja jetonte pranë dy vëllezërve, të cilët ishin në gjendje më të mirë ekonomike, por nuk di nëse mes tyre kishte ndonjë problem apo konflikt. “Nuk e di si ndodhi ngjarja. Kur e dëgjova, as nuk besoja që ishte në lagjen time. Vetëm kur e mora vesh, dola menjëherë jashtë,” rrëfen ai me dhimbje.
Banorët e zonës përshkruajnë familjen si të qetë dhe të mbyllur në vetvete, por gjithmonë të përkushtuar ndaj fëmijëve. Askush nuk kishte vënë re ndonjë shenjë që mund të paralajmëronte një fund kaq tragjik.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në gjithë komunitetin, i cili kërkon tashmë më shumë vëmendje për familjet që përballen me vështirësi ekonomike dhe sociale, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi