Presion i jashtëzakonshëm nga tifozët e Kosovës ndaj federatës sllovene

Interesi i madh i tifozëve të Kosovës për ndeshjen kundër Sllovenisë detyroi federatën vendase të pezullojë përkohësisht shitjen e biletave për sfidën vendimtare.

Kosova pritet të përballet me Slloveninë më 15 nëntor, në një ndeshje jetike që mund t’i sigurojë “dardanëve” kalimin në fazën “play-off” për Kupën e Botës 2026. Një barazim do të mjaftonte për të mbajtur gjallë ëndrrën e pjesëmarrjes në këtë kompeticion të madh.

Mirëpo, ajo që po ndodh jashtë fushës është po aq e jashtëzakonshme sa edhe vetë ndeshja. Federata e Futbollit të Sllovenisë, pas hapjes së procesit të shitjes së biletave, është detyruar ta pezullojë përkohësisht për shkak të kërkesave të shumta që vinin nga tifozët shqiptarë. Një situatë e paprecedentë që dëshmon për pasionin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të fansave të Kosovës.

Në njoftimin zyrtar të federatës sllovene theksohej qartë se për blerjen e biletave në sektorin e mysafirëve, tifozët duhet të kontaktonin drejtpërdrejt me Federatën e Futbollit të Kosovës. Ndërkohë, për sektorin vendas, rregullat janë shtrënguar maksimalisht: hyrja në stadium me simbole të Kosovës nuk do të lejohet jashtë sektorit të tifozëve mysafirë.

Pavarësisht këtij paralajmërimi, shumë prej tifozëve të Kosovës kanë arritur të sigurojnë bileta përmes kanaleve të ndryshme online. Kjo ka bërë që federata sllovene të ndalojë procesin e shitjes, për të shmangur një prani masive të tifozëve kosovarë në tribunat e dedikuara për vendasit.

Federata e Futbollit të Kosovës ka marrë tani në dorë menaxhimin e plotë të shpërndarjes së biletave për sektorin e saj, për të garantuar sigurinë dhe organizimin. Entuziazmi i tifozëve mbetet i pashoq, dhe ndeshja e 15 nëntorit pritet të zhvillohet në një atmosferë elektrizuese, me mbështetje të madhe për “dardanët” që synojnë historinë.

Ndaj Postimin: