Zjarri fatal në Maliq, ndërroi jetë edhe i mituri

Një nënë dhe djali i saj humbën jetën tragjikisht në Maliq, ndërsa vajza e mitur arriti të shpëtojë duke u hedhur nga dritarja në momentet e tmerrit.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Maliqit, ku një zjarr i fuqishëm përfshiu një banesë duke marrë jetën e një nëne dhe djalit të saj të mitur. Tragjedia ndodhi në orët e paradites, në një shtëpi modeste ku familja jetonte me kushte të vështira ekonomike.

Sipas dëshmive të fqinjëve, vajza e vogël e familjes arriti të shpëtojë mrekullisht pasi u hodh nga dritarja në momentin kur flakët përfshinë dhomën. Nëna dhe djali i saj, fatkeqësisht, nuk arritën të dilnin në kohë. Burime pranë policisë bëjnë të ditur se kryefamiljari nuk ndodhej në banesë në momentin e zjarrit, pasi ishte në punë.

Njëra prej fqinjeve, tregoi se zjarri mund të ketë nisur nga një material sfungjeri që përdorej si krevat. Sipas saj, fëmijët, që vuajnë nga autizmi, shpesh luanin pranë atij vendi, dhe mundësia që një shkëndijë e vogël të ketë shkaktuar tragjedinë është shumë e madhe.

“E njohim mirë këtë familje,” – tha ajo. – “Ishin njerëz të thjeshtë, me ekonomi të dobët. Bashkia i ndihmonte çdo muaj me ushqime dhe ndihmë ekonomike. Nëna përpiqej, por e kishte të vështirë të kujdesej për dy fëmijët. Ishim ne, komshinjtë, që shpesh i ndihmonim.”

Fqinja shtoi se zjarri prodhoi shumë tym, por jo flakë të mëdha, çka e bëri të vështirë shpëtimin e viktimave. “Vajza shpëtoi vetëm sepse u hodh nga dritarja. Një zonjë e lagjes e dëgjoi të bërtiturën e saj dhe arriti ta nxjerrë jashtë. Për fat të keq, nëna dhe djali nuk patën të njëjtin fat.”

Ngjarja ka tronditur komunitetin e vogël të Maliqit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të zjarrit. Bashkia ka shprehur ngushëllimet për familjen dhe ka ofruar ndihmë për vajzën e mbijetuar, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Ndaj Postimin: