Gjykata e Posaçme urdhëroi sekuestrimin e dy kompanive hoteliere në Tiranë, të lidhura me grupin spanjoll “Madeira Invest Club”, i dyshuar për mashtrim ndërkombëtar me kriptomonedha që kap vlerën e 300 milionë eurove.
Një operacion i gjerë hetimor ka përfshirë edhe Shqipërinë në aferën financiare që ka tronditur Spanjën dhe disa shtete të tjera evropiane. Sipas burimeve të “Boldnews.al”, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin e dy kompanive shqiptare të ngritura nga qytetarë spanjollë, të përfshirë në skemën mashtruese “Madeira Club”.
Hetimet e autoriteteve financiare në Madrid zbuluan se rreth 27 mijë persona me potenciale të mëdha ekonomike kanë qenë viktima të mashtrimit. Ata ishin bindur të investonin në një fond anonim që premtuonte fitime të shpejta përmes konvertimit të fondeve në kriptomonedha.
Në qendër të skemës qëndron Alvaro Romillo Castillo, i njohur në rrjetet e koduara si “Luis” apo “Cryptospain”. Ai komunikonte me klientët në platformën Telegram, duke i bindur të investonin shuma që nisnin nga 1.5 milionë euro, pa pasur detyrimin të identifikoheshin. Kjo e bënte të pamundur gjurmimin e transaksioneve financiare.
Sipas hetimeve, rrjeti kriminal kishte ngritur kompani fiktive në Portugali, SHBA, Estoni, Republikën Domenikane dhe Shqipëri, për të fshehur qarkullimin e parave. Dy prej këtyre kompanive, “Wortned” dhe “Wortonova”, u regjistruan në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Tiranë në qershor 2024, me adresë në rrugën “Teodor Keko”.
Të dyja kompanitë kishin si objekt aktivitetin turistik dhe menaxhimin e hoteleve, por sipas dokumenteve, ato nuk zhvilluan ndonjë veprimtari të vërtetë. Pronari i “Worned” ishte vetë Alvaro Romillo Castillo, ndërsa “Wortonova” figuron në pronësi të shtetases rumune Mihaela Munteanu Manole, me administrator të përbashkët Domingo Romillo Irarte, babai i Alvaros.

Aktiviteti i këtyre subjekteve u pezullua në fillim të vitit 2025, dhe vetëm disa ditë më vonë, Gjykata e Posaçme firmosi vendimin për sekuestrimin e tyre, duke ngrirë çdo pasuri të regjistruar në emër të tyre. Autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë ende detaje mbi hetimin, por burime konfirmojnë se ky veprim është pjesë e një operacioni ndërkombëtar kundër pastrimit të parave përmes kriptomonedhave.
Skema “Madeira Club” u shpërbë në shtator 2024, menjëherë pasi Komisioni Kombëtar i Letrave me Vlerë në Spanjë publikoi raportin që ekspozonte mashtrimin. Në një video të shpërndarë në Telegram, personazhi “Luis” njoftoi mbylljen e kompanisë, duke pretenduar se ishte “viktimë e një hetimi të padrejtë”. Pak më vonë, faqet zyrtare të grupit dhe rrjetet e tij sociale u mbyllën.
Sipas mediave spanjolle, paratë e investitorëve kalonin përmes një llogarie bankare në Portugali, në emër të babait të Alvaros, ndërsa kompanitë figuronin të regjistruara në SHBA dhe Estoni me dokumente të falsifikuara. Një prej tyre, “Sabroso Lda”, me seli në Viseu, u përdor si kanal kryesor për qarkullimin e fondeve.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu lidhje të mundshme të rrjetit me kompani të tjera të regjistruara në Tiranë, përfshirë një subjekt të ri me emërtim të ngjashëm, që dyshohet se vazhdon të funksionojë nën një tjetër strukturë pronësie. Kjo kompani nuk është përfshirë në masat e sekuestrimit.
Rasti “Madeira Club” po konsiderohet si një nga mashtrimet më të mëdha me kriptomonedha në Evropë, me hetime që shtrihen në pesë shtete. Autoritetet spanjolle dhe shqiptare po bashkëpunojnë për të gjurmuar destinacionin përfundimtar të miliona eurove të investitorëve të mashtruar, ndërsa vendimi i sekuestrimit në Tiranë pritet të jetë vetëm fillimi i një zinxhiri të gjatë hetimesh financiare.