Ligji i ri për menaxhimin e mbetjeve u miratua në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës, pa debat publik dhe pa shpjeguar koston reale që do të përballojnë taksapaguesit.
Kuvendi kaloi të enjten nismën “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, një reformë që ndryshon rrënjësisht strukturën e administrimit të këtij sektori. Ligji e kthen Agjencinë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM) në një shoqëri aksionere me kompetenca të plota për trajtimin fundor të mbetjeve në rang republike. Bashkitë do të funksionojnë si “klientë” të saj, duke paguar për depozitimin dhe përpunimin e mbetjeve që gjenerojnë.
Nisma e qeverisë thekson prioritetin e ndarjes në burim, riciklimit dhe kompostimit, duke lënë në hije inceneratorët që kanë konsumuar dhjetëra milionë euro nga buxheti publik gjatë dekadës së fundit. Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve konceptuale, ligji nuk jep asnjë detaj për faturën reale të zbatimit të këtyre dispozitave.
Sipas Ministrisë së Mjedisit, kostoja totale për ndërtimin e infrastrukturës deri në vitin 2035 mund të arrijë në 683 milionë euro, ndërsa shpenzimi mesatar për ton mbetje do të dyfishohet nga 79 euro në vitin 2025 në 170 euro për ton në vitin 2035. Edhe pse ministri Sofjan Jaupaj siguroi se pjesën më të madhe të kostove do ta përballojë qeveria, ai pranoi se bashkitë do të detyrohen të rrisin tarifat e pastrimit për qytetarët.
Në raportet zyrtare të komisioneve parlamentare mungon një vlerësim financiar i qartë. Vetëm parimi “ndotësi paguan” përmendet si justifikim për rritjen e kostove operative dhe tarifave vendore. Këshilli i Ministrave pritet të miratojë një metodologji të re për llogaritjen e tarifave të grumbullimit dhe transportit, por ende nuk dihet sa do të përfitojnë apo humbasin bashkitë nga kjo skemë.
Shoqatat e bashkive kanë paralajmëruar se shumë njësi vendore do të gjenden në krizë financiare, pasi ligji nuk parashikon burime të reja të ardhurash. Në dëgjesat publike, disa kryebashkiakë kërkuan që qeveria të mbulojë një pjesë të kostove përmes transfertave të pakushtëzuara, për të shmangur rritjen e tarifave për qytetarët.
Opozita e quajti ligjin “një centralizim të rrezikshëm që cenon autonominë vendore”, ndërsa ekspertët e mjedisit kritikuan përafrimin e pjesshëm me direktivat e BE-së. Ministria premtoi se do të plotësojë kuadrin ligjor me 12 akte nënligjore të reja në përputhje me kërkesat e integrimit.
Reforma e re pritet të shoqërohet me një tjetër nismë ligjore, “Për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit”, që do të detyrojë bizneset të kontribuojnë financiarisht në procesin e riciklimit. Megjithatë, pa një analizë të plotë ekonomike dhe pa transparencë të plotë të kostove, qytetarët mbeten të pasigurt për faturën që do të paguajnë për “pastrimin e integruar” të Shqipërisë.