Një qytetar nga Kosova udhëtoi në këmbë për dy ditë nga Prishtina në Tiranë për t’u bashkuar me protestën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në sheshin “Skënderbej” u mblodhën qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare për të shprehur solidaritet me ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mes tyre, një protestues tërhoqi vëmendjen për mënyrën e tij të pazakontë të pjesëmarrjes – ai kishte ecur në këmbë për 48 orë, vetëm për të qenë pjesë e këtij tubimi.
Ai shpjegoi se dy muaj më parë kishte kërkuar personalisht nga kryeministri Edi Rama që të organizonte një protestë në mbështetje të liderëve të UÇK-së që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare në Hagë.
“E mora këtë nismë që nga momenti kur u ktheva nga Haga. Erdhi koha që edhe Tirana të tregojë se qëndron përkrah çlirimtarëve tanë. U nisa dy ditë më parë nga Prishtina dhe sot jam këtu për t’u bashkuar me vëllezërit e mi,” – tha ai, mes emocioneve dhe lodhjes nga rruga e gjatë.
Protestuesi falënderoi popullin shqiptar për mbështetjen dhe policinë e Kosovës për lehtësimin e kalimit të tij drejt kufirit. Ai theksoi se mbështetja për UÇK-në nuk është vetëm detyrim moral, por një çështje kombëtare që kërkon unitet të plotë.
“Duhet të ketë një protestë të madhe edhe në Shkup,” – shtoi ai. “Të gjithë shqiptarët në rajon duhet të tregojnë se janë përkrah çlirimtarëve, sepse ata po akuzohen me akuza të fabrikuara nga Beogradi.”
Protesta e Tiranës u zhvillua në atmosferë të qetë, por me emocione të forta patriotike. Flamujt kuqezi dhe thirrjet për drejtësi në Hagë dominuan sheshin, duke treguar se mbështetja për ish-krerët e UÇK-së mbetet një kauzë që bashkon shqiptarët përtej kufijve.