Në Patos ka nisur me vonesë fushata e vjeljes së ullinjve, me rendiment më të ulët por vaj të një cilësie më të lartë falë kushteve klimatike.
Sezoni i vjeljes së ullinjve në Patos ka nisur me rreth dy javë vonesë krahasuar me vitin e kaluar. Prodhuesit thonë se këtë vit sasia e frutit është më e vogël, për shkak të reshjeve dhe uljeve të temperaturave gjatë periudhës së lulëzimit. Megjithatë, këto kushte klimatike kanë ndikuar pozitivisht në cilësinë e vajit, pasi kanë ndihmuar në eliminimin e sëmundjeve të ullirit.
Në zonat përreth Patosit, si dhe në të gjithë qarkun e Fierit, fabrikat e vajit kanë nisur tashmë përpunimin e frutit. Teknologjia e përpunimit, e modernizuar vitet e fundit, po ndihmon në prodhimin e vajit me standarde më të larta. Sipas prodhuesve lokalë, investimet në makineri dhe përzgjedhja e varieteteve kanë rritur dukshëm cilësinë e produktit final.
Prodhuesi i vajit, Afrim Beqiraj, thotë se ndonëse prodhimi është më i vogël, vaji i këtij viti është më i pastër dhe me aromë më të theksuar. “Këtë sezon pati më pak ullinj sepse në kohën e lulëzimit ra shi dhe u ul temperatura, por cilësia e vajit është më e mirë se çdo vit tjetër. Sivjet nuk ka pasur as krimb ulliri, as sëmundje. Fruti është i shëndetshëm dhe rezultati në vaj është i shkëlqyer,” theksoi Beqiraj.
Në Patos, si një zonë kryesisht kodrinore, kultivimi i ullirit ka njohur zgjerim të ndjeshëm. Disa varietete, që më parë rriteshin vetëm në lartësi të caktuara, tashmë po kultivohen me sukses edhe në fushë. Kjo rritje ka sjellë zhvillim të ndjeshëm të ekonomisë rurale dhe po nxit investime të reja në përpunimin e produktit.
Sipas Beqirajt, varietetet e reja si “Korone” po mbillen gjithnjë e më shumë, edhe në zonat fushore. “Ky varietet përshtatet shumë mirë me klimën e Patosit dhe jep prodhim të mirë edhe në fusha. Banorët e zonës po mbjellin pothuajse vetëm ullinj, sepse shohin fitim dhe qëndrueshmëri afatgjatë,” shpjegoi ai.
Në gjithë qarkun e Fierit, kultivohen mbi tre milionë rrënjë ulliri. Varietetet më të përhapura janë “Kaninjot”, “Frantoi” dhe “Koroneki”, që njihen për përmbajtje të lartë vaji dhe aromë të veçantë. Kjo e bën rajonin një nga prodhuesit kryesorë të vajit të ullirit në vend.
Specialistët theksojnë se rritja e cilësisë lidhet ngushtë me menaxhimin më të mirë të pemëve dhe me aplikimin e teknikave bashkëkohore të përpunimit. Investimet në fabrika moderne kanë ndikuar që produkti final të jetë më i pastër dhe të plotësojë standardet e tregjeve ndërkombëtare.
Edhe pse prodhimi është më i ulët, çmimi i vajit pritet të jetë më i lartë për shkak të cilësisë dhe kërkesës së madhe në treg. Prodhuesit shpresojnë që sezoni i ardhshëm të sjellë kushte më të favorshme për një rendiment më të bollshëm, pa kompromentuar cilësinë e vajit.
Kështu, edhe pse Patosi këtë vit po përballet me më pak frut, standardi i vajit që po del nga fabrikat e tij po cilësohet si një nga më të mirët e dekadës së fundit, duke përforcuar reputacionin e zonës si një qendër e rëndësishme e prodhimit të vajit të ullirit në Shqipëri.