Gratë e Fier-Sheganit u bashkuan sot në një nismë sensibilizuese për parandalimin e kancerit të gjirit, duke theksuar rëndësinë e kujdesit dhe kontrolleve të rregullta mjekësore.
Në kuadër të “Tetorit Rozë”, shkolla e bashkuar Fier-Shegan në bashkëpunim me qendrën administrative dhe atë shëndetësore lokale zhvilluan një aktivitet ndërgjegjësues për komunitetin. Qëllimi kryesor ishte të promovohen kontrollet e hershme, si mënyra më e sigurt për të parandaluar dhe luftuar kancerin e gjirit, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetarja e Bashkisë Lushnjë, znj. Eriselda Sefa, e cila nënvizoi se kujdesi për shëndetin e grave duhet të jetë pjesë e përditshmërisë dhe jo thjesht një nismë e përqendruar në një muaj të caktuar.
Sefa theksoi rëndësinë e edukimit shëndetësor, sidomos në zonat rurale, ku shpesh mungon informacioni i duhur dhe aksesimi i shërbimeve mjekësore është më i kufizuar. “Tetori Rozë nuk është thjesht një fushatë. Është një kujtesë për çdo grua që jeta e saj ka vlerë dhe duhet mbrojtur çdo ditë”, deklaroi ajo.
Në fjalën e saj, ajo inkurajoi gratë e Fier-Sheganit dhe të gjithë zonës përreth që të mos e lënë pas dore shëndetin e tyre. “Kontrolli i hershëm shpëton jetë, dhe kjo është përgjegjësi që fillon me vetëdije dhe dashuri për veten,” shtoi Sefa.
Gjatë aktivitetit, nxënës, mjekë dhe përfaqësues të komunitetit ndanë mesazhe sensibilizuese për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm. Ato u shoqëruan me materiale informuese dhe udhëzime praktike për vetëkontrollin e gjirit.
Atmosfera ishte mbushur me ngjyra rozë, simbol i solidaritetit dhe forcës femërore, ndërsa pjesëmarrësit vendosën shirita në shenjë mbështetjeje për të gjitha gratë që përballen me këtë sëmundje.
Organizatorët nënvizuan se qëllimi i tyre është që këto aktivitete të mos mbeten vetëm në kuadër të muajit tetor, por të shndërrohen në një kulturë të qëndrueshme të kujdesit për shëndetin.
Në fund, u theksua se edukimi dhe ndërgjegjësimi janë armët më të forta përballë kancerit të gjirit, një mesazh që Fier-Shegani sot e përcolli me forcë, humanizëm dhe solidaritet.