Gjykata e Adelaide pushoi akuzën për kultivim droge ndaj Belina Pupës, ndërsa procesi ndaj saj vijon për ndërhyrje të paautorizuar në rrjetin elektrik.
Gjykata e Magjistraturës në Adelaide ka vendosur të heqë akuzën për kultivim të lëndëve narkotike ndaj terapistes dhe influenceres shqiptare Belina Pupa. Vendimi erdhi pas hetimeve të zgjatura mbi një rast që kishte të bënte me 43 bimë kanabisi, të gjetura në një pronë të regjistruar në emrin e saj.
Sipas dosjes gjyqësore, akuzat për kultivim droge nuk do të ndiqen më, gjë që do të thotë se Pupa nuk shpallet fajtore dhe nuk do të përballet me dënim penal për këtë çështje. Ky vendim është pritur me lehtësim nga ajo dhe familja e saj, pas muajsh tensioni dhe pasigurie ligjore.
Megjithatë, beteja ligjore për Pupën nuk ka përfunduar. Procesi vijon për një tjetër çështje që lidhet me ndërhyrje të paautorizuar në rrjetin elektrik. Për këtë akuzë, seanca e ardhshme gjyqësore është planifikuar të mbahet më 25 nëntor 2025 në Gjykatën e Adelaide.
Sipas hetimeve, ndërhyrja e dyshuar është kryer mes janarit dhe prillit të këtij viti në një pronë të marrë me qira, e cila figuronte në emrin e Belina Pupës. Autoritetet australiane po shqyrtojnë nëse ajo kishte dijeni për veprimet e ndodhura në atë pronë.
Në një deklaratë publike, Pupa theksoi se po pret përfundimin e procesit për të sqaruar plotësisht situatën. “Bëhet fjalë për një pronë të dhënë me qira, por që është në emrin tim. Nuk mund të flas më shumë derisa çështja të mbyllet,” – u shpreh ajo.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj, aktori Elvis Pupa, reagoi me tone të ashpra ndaj mediave që publikuan lajmin, duke i quajtur raportimet “të pavërteta dhe manipulative”. Ai sqaroi se ndodhet në Tiranë për arsye profesionale dhe se bashkëshortja e tij është e lirë dhe po vazhdon aktivitetin normalisht. “Kemi besim se drejtësia do të flasë e fundit,” – përfundoi aktori.