Kërcënim në zyrat e IMT Tiranë, qytetari shkon i armatosur dhe kërkon drejtorin

Një 61-vjeçar u shoqërua nga policia në Komisariatin nr. 3, pasi hyri në zyrat e IMT Tiranë dhe kërcënoi me jetë drejtorin e institucionit, Klajdi Meçi.

Një incident i rëndë ka ndodhur në ambientet e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Tiranë, ku një qytetar i irrituar hyri me tone kërcënuese, duke thënë se ishte i armatosur dhe kërkonte drejtorin e institucionit. Burime zyrtare bëjnë me dije se personi i identifikuar si Leonard Nikolli, 61 vjeç, është shoqëruar menjëherë në polici pas raportimit të ngjarjes.

Sipas kallëzimit të bërë nga vetë drejtori Klajdi Meçi, Nikolli e ka kërcënuar hapur me fjalët “Ku është, se do ta vras”, duke krijuar panik te punonjësit e tjerë të institucionit. Dëshmitarë thanë se ai hyri në ndërtesë duke thënë: “Jam i armatosur, më tregoni ku është drejtori”.

Pas këtyre deklarimeve, policia ndërhyri me shpejtësi dhe shoqëroi autorin në Komisariatin nr. 3 për marrje në pyetje. Gjatë komunikimit me uniformat blu, 61-vjeçari është shprehur se “do t’ia bënte njëlloj si gjyqtarit Astrit Kalaja”, duke iu referuar ngjarjeve të njohura të dhunës ndaj zyrtarëve të drejtësisë.

Burime pranë IMT-së bëjnë të ditur se konflikti nisi për një objekt ndërtimor në Tiranë, për të cilin Nikolli kishte kërkuar prishje, por instituti nuk kishte ndërhyrë. Drejtori Meçi ka sqaruar se objekti është me “sigurim padie” nga gjykata, çka ndalon çdo veprim të IMT-së deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të hetuar mënyrën si Nikolli hyri në institucion dhe nëse ishte i armatosur, siç pretendoi. Ai pritet të arrestohet për veprën penale të “kanosjes për shkak të detyrës” dhe “prishjes së rendit publik”.

Ngjarja ka tronditur punonjësit e IMT-së, ndërsa drejtoria ka kërkuar masa shtesë sigurie për mbrojtjen e stafit pas kërcënimit të drejtpërdrejtë ndaj kreut të institucionit. Policia e Tiranës njoftoi se po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Ndaj Postimin: