Berisha akuzon Presidentin Begaj për shkelje të Kushtetutës dhe punësim privat

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi ashpër presidentin Bajram Begaj, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës dhe për përfitime financiare në sektorin privat.

Në një deklaratë të fortë për mediat, lideri i opozitës Sali Berisha e akuzoi presidentin Bajram Begaj për veprime të paprecedenta që, sipas tij, bien ndesh me parimet kushtetuese dhe me detyrimet që i imponon posti i Kreut të Shtetit. Ai theksoi se Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Begajt.

Berisha akuzoi presidentin se ka dekretuar në mënyrë të paligjshme zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës dhe emërimin e ministres “virtuale” Diella, duke shtuar se veprimet e tij janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën. Sipas tij, këto akte tregojnë një “kapje të plotë të institucionit të Presidencës nga mazhoranca”.

Një tjetër akuzë e ngritur nga kreu i PD-së lidhet me punësimin e presidentit Begaj në një klinikë private. Berisha e quajti këtë një skandal institucional, duke pretenduar se një president në detyrë nuk mund të ushtrojë aktivitet privat me pagesë. Ai shtoi se “në asnjë vend të botës një kreu shteti nuk shkon të bëjë para në sektorin privat”.

Duke folur me tone ironike, Berisha u shpreh se Begaj “ka qenë mediokër profesionalisht” dhe se “nëse do të kishte qenë ndonjë Tritan tjetër, do të kishte ruajtur etikën e profesionit”. Ai theksoi se argumenti se presidenti punon “vullnetarisht” nuk qëndron, pasi çdo shërbim i tillë është i paguar.

Berisha shtoi se PD kërkon që edhe bashkëpunëtorët e afërt të Begajt, përfshirë Rusmalin, të mos përfitojnë nga fondet publike, pasi kjo bie ndesh me ligjin. “Ky shtet është më keq se shteti i Rrumit,” deklaroi ai, duke e quajtur situatën aktuale “më të rëndë se një narkoshtet”.

Në përmbyllje të deklaratës, Berisha tha se Partia Demokratike do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për shkarkimin e presidentit, ndërsa theksoi se “kjo është një betejë për moralin dhe integritetin e institucioneve shtetërore”.

Ndaj Postimin: