Lushnjë: Rikthehet në identitet “Djali mbi Buallicë”, simboli i qytetit!

Në zemër të qytetit të Lushnjës, një nga veprat më të dashura për qytetarët po rikthehet në vëmendje pas dekadash harrese.

Skulptura e njohur “Djali mbi Buallicë”, e krijuar nga mjeshtri i skulpturës Maksim Bushi në vitin 1983, ka nisur të restaurohet falë një nisme të Bashkisë Lushnjë dhe Drejtorisë së Pasurisë Publike.

E vendosur në lulishte, kjo vepër është jo vetëm simbol artistik, por edhe pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Myzeqesë. Për dekada, ajo ka shërbyer si një pikë referimi, një simbol identitar dhe një ndalesë për të rinj, të moshuar dhe kalimtarë.

Skulptura, që përshkruan një djalosh të vogël mbi kurrizin e një buallice, kafsha karakteristike e fushave të Myzeqesë, ka qëndruar për vite me radhë në gjendje të degraduar. Tashmë, ndërhyrja synon jo vetëm restaurimin e saj, por edhe kthimin në një element dekorativ funksional, me një shatërvan që do ta rrethojë dhe do ta vendosë figurën në një dimension të ri estetik.

Sipas burimeve nga Bashkia, pas restaurimit, “Djali mbi Buallicë” do të përfaqësojë jo vetëm trashëgiminë kulturore, por edhe frymën e re të përkujdesjes ndaj vlerave historike dhe artistike të qytetit.

“Buallica” dhe djaloshi mbi të, të gdhendur në bronz, nuk janë thjesht një vepër arti – janë fryma e Myzeqesë, balta, uji, jeta bujqësore dhe krenaria e një qyteti që po rifiton hijeshinë e dikurshme.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: