Tragjedia në Castel D’Azzano trondit Italinë

Tre karabinierë humbën jetën dhe 17 persona u plagosën pas shpërthimit në një banesë në Castel D’Azzano të Veronës, ndërsa dy vëllezër dhe motra u arrestuan për vrasje me paramendim.

Një ngjarje e rëndë goditi Italinë në orët e para të mëngjesit në komunën e qetë të Castel D’Azzano, në provincën e Veronës. Tre pjesëtarë të karabinierisë u vranë dhe 17 persona, mes tyre policë e zjarrfikës, u plagosën pas një shpërthimi të fuqishëm në një banesë dykatëshe që u shemb plotësisht.

Sipas burimeve hetimore, shpërthimi ndodhi në momentin kur forcat e rendit po ekzekutonin urdhrin për lirimin e banesës, ku ndodheshin tre persona. Një valë gazi kishte mbushur mjediset e shtëpisë dhe, në momentin që u hap dera, ndodhi deflagracioni vdekjeprurës.

Në vendngjarje u aktivizuan qindra efektivë të emergjencës, ndërsa ekipet mjekësore punuan pa ndërprerje për të shpëtuar të mbijetuarit. Në ndërtesë ishin vendosur disa bombola gazi, të cilat mendohet se shkaktuan shpërthimin e parë në katin e sipërm.

Të plagosurit u transportuan në spitalet e Veronës, ndërsa dy vëllezërit dhe motra: Ramponi Dino, Maria Luisa dhe Franco u ndaluan menjëherë nga policia. Njëri prej tyre tentoi të arratisej, por u kap pak orë më vonë. Të tre pjestarët u arrestuan për vrasje me paramendim, ndërsa prokuroria nuk përjashton akuzën për “masakër”.

Prokurori i Veronës, Raffaele Tito, deklaroi se policia kishte shkuar për një kontroll të zakonshëm me urdhër gjykate, pasi ekzistonin dyshime për materiale të rrezikshme në banesë. “U përballëm me një skenë apokaliptike,” tha ai, duke shtuar se ngjarja ishte e papritur dhe jashtë çdo parashikimi.

Hetimet zbuluan se kjo nuk ishte hera e parë që banorët e banesës përdornin gaz për të penguar lirimin e pronës. Një vit më parë, në tetor 2024, ata kishin bërë të njëjtën gjë, por ndërhyrja e policisë atëherë kishte shmangur tragjedinë. Madje njëri nga vëllezërit ishte përpjekur të digjej me benzinë, ndërsa tjetri kishte kërcënuar të hidhej nga çatia e gjykatës.

Çështja gjyqësore kishte nisur në vitin 2014, pas një kredie bankare që familja pretendonte se nuk e kishte firmosur kurrë. Ata akuzonin institucionet për falsifikim dhe për padrejtësi në procesin e sekuestrimit të shtëpisë dhe tokave. Megjithatë, gjykata kishte vendosur përfundimisht ekzekutimin e vendimit të shpronësimit.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në nivel kombëtar. Kryetarja e bashkisë së Castel D’Azzano, Elena Guadagnini, e përshkroi ngjarjen si “një moment të errët që shënon historinë e komunitetit tonë”. Ndërsa zëvendëskryetari Antonello Panuccio tha se shpërthimi ndodhi rreth orës 03:15, pasi shtëpia ishte mbushur me gaz të depozituar prej kohësh.

Kryeministrja Giorgia Meloni shprehu ngushëllime përmes rrjetit X, duke theksuar: “Një mendim i thellë për ata që i shërbejnë Italisë. Qeveria qëndron pranë familjeve të viktimave dhe trupave të plagosura.”

Edhe ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi e quajti ngjarjen “një bilanc tragjik dhe tepër i dhimbshëm”, ndërsa ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto tha se karabinierët “sakrifikuan jetën duke kryer detyrën”.

Presidenti i rajonit të Venetos, Luca Zaia, e përshkroi situatën si “një tragjedi me përmasa lufte”, ndërsa lideri i Legës, Matteo Salvini, kërkoi që “drejtësia të veprojë me ashpërsi ndaj atyre që planifikuan këtë akt barbar”.

Hetimet vazhdojnë ndërsa autoritetet punojnë për të përcaktuar mënyrën e saktë të shpërthimit dhe për të sqaruar nëse ai u shkaktua me qëllim të qartë për të vrarë. Të afërmit e viktimave kërkojnë drejtësi dhe dinjitet për tre heronjtë që humbën jetën në shërbim të vendit.

Ndaj Postimin: