Sylvinho flet për ndeshjen me Jordaninë dhe shpirtin luftarak të kombëtares

Trajneri i Shqipërisë theksoi se skuadra e tij nuk njeh ndeshje miqësore, por hyn gjithmonë në fushë për fitore dhe lufton me gjak e shpirt.

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho, doli para mediave në prag të miqësores me Jordaninë që do të luhet në “Air Albania” të martën në orën 19:00. Ai u shpreh se për të, çdo ndeshje ka vlerë dhe ekipi duhet të luftojë për fitore, pavarësisht statusit të saj.

Sipas tij, përgatitjet po ecin me intensitet dhe disa lojtarë, si Çake dhe Gripshi, kanë treguar përkushtim të lartë edhe pse nuk kanë pasur shumë minuta me kombëtaren. “Ne punojmë fort çdo ditë. Nesër në mëngjes do të kemi të qartë formacionin. Disa lojtarë kanë qenë prej muajsh me ne, por kanë luajtur pak. Më pëlqejnë shumë për shpirtin që tregojnë,” tha trajneri brazilian.

Sylvinho pranoi se ndeshja me Serbinë ishte e jashtëzakonshme dhe jo normale për shkak të emocioneve dhe ngarkesës së madhe. “Jam i lodhur, por krenar. Ndeshjet e nëntorit janë ato që vendosin gjithçka. Për herë të parë në histori, Shqipëria luan për kualifikim direkt dhe ka shansin të shkojë në Play Off,” theksoi ai.

Ai dërgoi edhe një mesazh të qartë për tifozët dhe lojtarët: “Çdo futbollist duhet të jetë gati, qoftë në fushë apo në stol. Kjo skuadër lufton me gjak. Tifozët të vazhdojnë të na mbështesin, sepse nuk na ka munguar asnjëherë zemra dhe pasioni.”

Kur u pyet sa shqiptar ndihet pas rezultateve të fundit, trajneri u përgjigj me humor: “Pas kualifikimit në Europian ndihesha si 7. Pas fitores me Serbinë, ndihem 8 e gjysmë, pothuajse 9. Ndihem pjesë e këtij vendi dhe e kësaj skuadre. E kuptoj sa e madhe është kjo ndeshje për tifozët.”

Ai shtoi se çdo lojtar në listë ka rëndësi dhe se fokusi kryesor është tashmë te përballjet e nëntorit. “Unë nuk besoj në miqësore, çdo ndeshje është një hap përpara. Nëntori është objektivi ynë kryesor, prandaj kërkoj që tifozët të na qëndrojnë pranë.”

Në lidhje me urimet që ka marrë, Sylvinho tregoi një moment personal. “Mora shumë komplimente, por më preku një mesazh nga Roberto Mancini që më tha ‘Bravo Silvio, ke bërë shumë mirë’. Këto gjëra vlejnë shumë për mua,” rrëfeu ai.

Sa i përket play-off-it, ai u shpreh se ende nuk ka analizuar asnjë kundërshtar të mundshëm, pasi vëmendja është e gjitha te sfidat e ardhshme. “Jam realist. Nuk kam parë asnjë skuadër për play-off. E di mirë që duhet të jemi gati për nëntorin, sepse aty vendoset gjithçka,” deklaroi trajneri.

Pyetjes për kritikat që kishte marrë më parë, Sylvinho iu përgjigj me qetësi: “Kam 15 vite karrierë si lojtar dhe 6 si trajner. Kritikat janë pjesë e jetës sonë. Sot je i vlefshëm, nesër jo. E rëndësishme është të punosh me ndershmëri.”

Ai përmendi edhe shembullin e Rei Manajt, duke thënë se çdo lojtar duhet të pranojë ciklet e formës. “Rei është golashënuesi më i mirë i kombëtares. Një ditë shënon, një ditë jo. Kështu është futbolli. Nuk duhet të harrojmë se suksesi ndërtohet me durim.”

Në fund, trajneri brazilian e mbylli konferencën me një mesazh motivues: “Nuk ka rrugë tjetër përveç përpara. Shqipëria është gati për çdo sfidë dhe unë kam besim të plotë te djemtë e mi. Do të luftojmë për çdo centimetër fushe.”

Ndaj Postimin: