Trumpi në Tel Aviv, nderohet me medalje të larta shtetërore

Presidenti amerikan Donald Trump mbërriti në Izrael mes pritjes madhështore, duke marrë nderimet më të larta nga Izraeli dhe Egjipti për rolin e tij në përfundimin e luftës në Gaza.

Presidenti Donald Trump zbriti nga Air Force One të hënën në mëngjes në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit, ku u prit me muzikë ceremoniale dhe një tapet të kuq që theksonte pritjen e veçantë. Ai u përshëndet nga zyrtarët izraelitë dhe amerikanë që e prisnin në pistë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e takoi me një përqafim të ngrohtë dhe buzëqeshje. Marrëdhënia mes tyre ka kaluar nëpër faza të vështira muajt e fundit, por duket se vizita shënon një moment të ri afrimi.

Në bord të Air Force One, Trumpi kishte pranuar se kishte pasur disa mospërputhje me Netanyahun, por tha se gjithçka ishte zgjidhur shpejt. “Ai është një president lufte dhe bëri një punë shumë të mirë,” deklaroi Trump.

Pas përshëndetjes me Netanyahun, Trump u takua edhe me ambasadorin amerikan në Izrael, Mike Huckabee, dhe me të dërguarin izraelit në SHBA, Yechiel Leiter.

Në pistë ishte edhe Jared Kushner, dhëndri i Trump-it dhe një nga figurat kryesore në arritjen e marrëveshjes së armëpushimit që u nënshkrua javën e kaluar. Me ta ishte edhe këshilltari i posaçëm Steve Witkoff.

Vizita e Trump-it shënoi një moment historik: ai do të marrë dy nderimet më të larta civile nga dy vende të Lindjes së Mesme: Egjipti dhe Izraeli.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi njoftoi se do t’i japë “Urdhrin e Nilit”, nderimin më të lartë civil të Egjiptit, për rolin e Trump-it në “mbështetjen e përpjekjeve për paqe dhe në ndalimin e luftës në Gaza”.

Nga ana tjetër, presidenti izraelit Isaac Herzog deklaroi se Trump do të nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit të Izraelit, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në lirimin e pengjeve.

Herzog theksoi se Trump “ka vendosur themelet për një epokë të re në Lindjen e Mesme, të bazuar në siguri, bashkëpunim dhe shpresë për paqe të qëndrueshme”.

Pas ceremonisë në Tel Aviv, Trumpi dhe Netanyahu u nisën së bashku drejt Jerusalemit në limuzinën presidenciale. Ata u panë duke biseduar gjatë rrugës drejt ndërtesës së Knessetit, ku do të zhvillonin takimin zyrtar.

Burime pranë delegacionit amerikan thanë se gjatë udhëtimit dy liderët do të kenë rreth 40 minuta për të diskutuar për dallimet që ekzistojnë në lidhje me armëpushimin dhe planet për paqen.

Trumpi kishte ushtruar presion të fortë mbi Netanyahun për të pranuar marrëveshjen e shkëmbimit të pengjeve me ndalimin e luftimeve, një veprim që, sipas tij, “i dha fund luftës”.

“Lufta ka mbaruar,” tha Trump për gazetarët gjatë fluturimit të tij. “Po e them qartë: lufta ka përfunduar, e kuptoni këtë?”

Ndërkohë, Netanyahu paralajmëroi se “fushata ushtarake nuk është ende e mbyllur”, duke sinjalizuar se tensionet politike brenda Izraelit mund të ndikojnë në mënyrën se si do të zhvillohet situata në terren.

Në këtë vizitë, Trump synon të forcojë rolin e tij si ndërmjetës kyç në Lindjen e Mesme dhe të rifitojë ndikimin e humbur në skenën ndërkombëtare, ndërsa udhëheqësit izraelitë dhe egjiptianë po përpiqen të konsolidojnë armëpushimin e brishtë që ndaloi luftimet në Gaza.

Ndaj Postimin: