Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy organizoi një mbrëmje lamtumire me miqtë e tij më të afërt, pak ditë përpara se të niste dënimin me burg.
Nicolas Sarkozy, një nga figurat më të debatueshme të politikës franceze, zgjodhi ta përshëndeste lirinë me një festë intime mes miqsh e bashkëpunëtorësh. Ngjarja, që u zhvillua të mërkurën, u raportua gjerësisht nga mediat franceze si një “mbrëmje e ngarkuar me emocione”, ku ish-presidenti shfrytëzoi rastin për të përsëritur se është viktimë e një padrejtësie.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin avokatët e tij, ministrja në largim e Kulturës dhe bashkëpunëtorja e vjetër Rachida Dati, kryebashkiaku i La Baule, Franck Louvrier, dhe ish-shefi i kabinetit në Elize, Emmanuelle Mignon. Të gjithë u mblodhën për ta përkrahur Sarkozy-n në ditët e fundit të lirisë së tij para burgimit.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë event privat, Sarkozy deklaroi se çështja e tij është shembull i padrejtësisë gjyqësore që mund t’i ndodhë kujtdo. Ai krahasoi situatën e vet me dy raste ikonike në historinë e padrejtësisë franceze: aferën Dreyfus, një skandal që tronditi Francën në shekullin XIX, dhe personazhin Edmond Dantes nga romani klasik “Konti i Monte Kristos”.
“Nuk kërkoj mëshirë, por drejtësi. Nuk dua simpati, por indinjatë”, tha Sarkozy para miqve, duke theksuar se do të vazhdojë betejën ligjore për të provuar pafajësinë e tij. Ai shtoi se dënimi nuk do ta ndalë së kundërshtuari vendimin që e çon pas hekurave.
Festa, sipas të pranishmëve, kishte një atmosferë të përzier mes nostalgjisë dhe sfidës. Ish-presidenti francez, megjithëse i buzëqeshur, nuk e fshehu ndjenjën e zhgënjimit për mënyrën si, sipas tij, drejtësia franceze po e trajton.
Nicolas Sarkozy pritet të vuajë një dënim për korrupsion dhe trafik ndikimi, pas një procesi të gjatë gjyqësor që ka tronditur elitën politike të vendit. Ai është ish-presidenti i parë francez që do të hyjë në burg pas dekadash, një zhvillim që shënon një moment të rëndësishëm në historinë politike të Francës.