Një tjetër investim i rëndësishëm urban ka nisur të marrë formë në qytetin e Lushnjes. Bëhet fjalë për rehabilitimin e lagjes “Xhevdet Nepravishta”, një ndër zonat më të populluara, e cila prej vitesh kishte nevojë për ndërhyrje të thellë infrastrukturore. Projekti përfshin rikonstruksionin e shesheve, sistemimin e trotuareve dhe asfaltimin e segmenteve rrugore brenda lagjes.
Ky investim, i mbështetur nga Bashkia Lushnje, synon të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetesës për banorët dhe të kthejë këtë zonë në një hapësirë funksionale, të sigurt dhe më të jetueshme për komunitetin.
Kryetarja e Bashkisë, znj. Eriselda Sefa, ishte në kantierin e punimeve për të inspektuar nga afër ecurinë e projektit. Gjatë vizitës, ajo u takua me banorët, të cilët shprehën mirënjohjen e tyre për vëmendjen që po i kushtohet lagjes pas një periudhe të gjatë pritjeje.
“Ky është një investim që nuk sjell thjesht asfalt apo rrugë të sistemuara, por rrit ndjeshëm standardin e jetesës për banorët e kësaj zone. Ne do të vijojmë me këtë ritëm edhe në lagje të tjera”, u shpreh ndër të tjera Kryebashkiakja Sefa.
Banorët e lagjes theksuan se punimet kanë nisur me seriozitet dhe shpresojnë që kjo metodë pune të shtrihet në të gjithë qytetin. Sipas tyre, për vite me radhë, mungesa e investimeve kishte sjellë vështirësi në lëvizje, si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet.
Ky projekt është pjesë e një vizioni më të gjerë të Bashkisë Lushnje për zhvillimin urban dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, në funksion të një qyteti më modern dhe të jetueshëm për të gjithë. Me qasje praktike dhe të orientuar nga nevojat reale të komunitetit, bashkia po tregon se investimi në lagje dhe rrugë nuk është vetëm ndërtim fizik, por ndërtim besimi me qytetarët.
Nga: Ndriçim Gjoshi


