Kombëtarja kuqezi niset drejt Nishit mes masave të rrepta sigurie

Ekipi shqiptar mbërrin sot në Serbi për sfidën kundër kombëtares serbe, ndërsa autoritetet marrin masa të forta për shmangien e incidenteve të mundshme.

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur sot udhëtimin drejt Serbisë për ndeshjen e rëndësishme ndaj Serbisë, e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026. Kuqezinjtë janë nisur nga aeroporti “Nënë Tereza” me një fluturim charter drejt qytetit të Nishit, ku pas mbërritjes do akomodohen në hotel dhe do zhvillojnë seancën e fundit stërvitore.

Sfida, e cila do të luhet të shtunën, më 11 tetor, në orën 20:45 në stadiumin “Duboçica” të Leskovacit, është konsideruar nga FIFA si një ndeshje me rrezik të lartë. Për këtë arsye, pritet prani e shtuar e forcave të sigurisë gjatë gjithë qëndrimit të skuadrës shqiptare në Serbi.

Autoritetet serbe kanë paralajmëruar masa të rrepta për të shmangur çdo incident, sidomos pas ngjarjeve të 14 tetorit 2014, kur huliganët serbë hynë në fushë dhe dhunuan lojtarët shqiptarë. Delegacioni kuqezi do shoqërohet nga policia lokale që nga mbërritja në Nish e deri në përfundim të ndeshjes.

Në orën 16:30 të pasdites, trajneri Sylvinho dhe një prej kapitenëve, Berat Gjimshiti ose Elseid Hysaj, do të dalin në konferencë për shtyp. Menjëherë më pas, skuadra do zhvillojë stërvitjen përfundimtare në stadiumin ku do luhet ndeshja.

Gjatë gjithë qëndrimit në Serbi, ekipi shqiptar nuk do të ketë dalje publike apo aktivitete jashtë hotelit, për shkak të masave të rritura të sigurisë. Edhe të shtunën paradite, para ndeshjes, kombëtarja do qëndrojë në hotel deri në momentin e nisjes për në Leskovac.

FIFA ka dërguar dy oficerë ndërkombëtarë sigurie për të mbikëqyrur zhvillimin e ndeshjes. Federata Serbe e Futbollit nuk ka nxjerrë në shitje bileta publike; 6.500 vendet e lejuara do mbushen nga tifozë të përzgjedhur me ftesa, kryesisht sportistë të rinj nga akademitë. Marrëveshja mes dy federatave ndalon praninë e tifozëve kundërshtarë në këto duele.

Në renditjen aktuale të Grupit K, Anglia kryeson me 15 pikë, e ndjekur nga Shqipëria me 8 dhe Serbia me 7 pikë, por me një ndeshje më pak. Pas tyre renditen Letonia me 4 pikë dhe Andorra pa asnjë fitore. Ndeshja e së shtunës pritet të jetë vendimtare për fatin e kuqezinjve në rrugën drejt Botërorit 2026.

Ndaj Postimin: