Rritja e re e taksës së ndërtesës godet qytetarët në rrethe

Nga 1 janari 2026, taksa e ndërtesës për shtëpitë dhe dyqanet do të rritet ndjeshëm në 119 zona të vendit, duke sjellë detyrime shumë më të larta për familjet dhe bizneset.

Nga fillimi i vitit 2026, çmimet e reja të referencës për apartamentet dhe ndërtesat do të hyjnë në fuqi në rrethe, duke e rritur ndjeshëm bazën e taksimit. Numri i zonave kadastrale është zgjeruar nga 65 në 119, duke përfshirë pothuajse të gjithë territorin urban dhe periurban të Shqipërisë. Ky ndryshim do të ndikojë drejtpërdrejt në shumën që qytetarët paguajnë për taksën e ndërtesës.

Sipas të dhënave zyrtare, rritjet më të mëdha parashikohen në qarkun e Durrësit, veçanërisht në zonën kadastrale nr. 13, që përfshin Portin e Durrësit dhe zonën ku po zhvillohet projekti “Durrës Yachts Marina”. Aty çmimi i referencës për metër katror nga 67,500 lekë do të ngjitet në 200,000 lekë — një rritje prej 196%. Për shembull, një qytetar me një apartament 60 m² në këtë zonë, që paguan aktualisht 2,025 lekë në vit, do të paguajë 6,000 lekë në vit nga janari i ardhshëm.

E njëjta logjikë rritjeje do të aplikohet edhe për taksën e ndërtesave të bizneseve. Një dyqan 90 m² në Durrës që paguan 12,150 lekë në vit, pas ndryshimeve do të detyrohet të paguajë 36,000 lekë. Rritje të konsiderueshme janë propozuar edhe në Bashkinë e Kamzës, ku çmimi i referencës për metër katror do të kalojë nga 52,000 në 72,000 lekë — një shtesë prej 44%.

Në këtë rast, një familje me apartament 60 m² në Kamëz do të ketë një rritje të detyrimit nga 1,560 lekë në 2,250 lekë në vit, ndërsa bizneset që zotërojnë dyqane 90 m² do të paguajnë rreth 13,500 lekë në vit, krahasuar me 9,360 që paguajnë aktualisht. Kjo rritje, sipas ekspertëve, pritet të ndikojë më shumë tek shtresat me të ardhura të ulëta.

Edhe qyteti i Vlorës do të përballet me një ndryshim të madh të çmimeve të referencës. Nga 61,800 lekë për metër katror, zona është ndarë në shtatë zona të reja me çmime që variojnë nga 45,000 deri në 140,000 lekë, ndërsa ishulli i Sazanit është caktuar me 200,000 lekë për metër katror. Rritja mesatare për Vlorën arrin 58.6%. Një familje me një apartament 60 m² në zonën kadastrale nr. 1 do të paguajë 2,940 lekë në vit, nga 1,848 që paguan aktualisht.

Ndërkohë, Ministria e Financave ka paralajmëruar se nga viti 2026 do të nisë edhe zbatimi i ligjit për vlerësimin e pasurive të paluajtshme me një tatim të reduktuar nga 15% në 5%. Por taksa e re e pasurive të paluajtshme, e planifikuar fillimisht për të hyrë në fuqi në të njëjtin vit, është shtyrë. Një projektligj i ri pritet të miratohet gjatë vitit 2026, ndërsa zbatimi i plotë është parashikuar të nisë në vitin 2028, pas përgatitjes së akteve nënligjore gjatë periudhës 2026–2027.

Ndaj Postimin: