Drejtoresha që shpërblen veten në Vlorë

Në Bashkinë e Vlorës është miratuar një vend pune që ka ngritur dyshime për favorizim, pasi fituese doli vetë drejtoresha e komanduar që hartoi kriteret.

Në muajin qershor, Bashkia e Vlorës miratoi krijimin e një pozicioni të ri – “Përgjegjës i sektorit të Shpronësimeve” pranë Drejtorisë së Pronave dhe Aseteve. Në dokumentet zyrtare u përcaktuan dy kushte themelore: pesë vite eksperiencë pune dhe diplomë universitare në drejtim juridik. Kriteret duket se ishin përgatitur me kujdes për një kandidaturë të vetme.

Pas verifikimeve, rezultoi se vetëm një person i plotësonte këto kushte: Anisa Plepi, aktualisht e komanduar si drejtoreshë e Burimeve Njerëzore në bashki. Edhe pse ajo vetë kishte qenë pjesë e administratës që përgatiti procedurën, Plepi vendosi të konkurrojë për postin në fjalë dhe në fund u shpall fituese.

Sipas raportimeve, gjatë një takimi me gazetarë, Plepi shmangu çdo pyetje për konflikt interesi, duke lënë menjëherë ambientet e punës. Kjo sjellje ka rritur dyshimet mbi mënyrën si u zhvillua përzgjedhja dhe mbi transparencën e procesit.

Avokati Arben Llangozi ka reaguar publikisht, duke e cilësuar rastin si “një formë të pastër korrupsioni administrativ”. Ai deklaroi se favorizimi i një drejtoreje të komanduar për një pozicion që vetë ka ndihmuar të krijohet përbën shkelje të ligjit dhe vepër penale.

Llangozi kërkon që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të nisë hetimet për rastin, duke theksuar se institucione të tilla nuk mund të jenë shembull i abuzimit me funksionin publik. “Kjo është mënyra si mbushet administrata me njerëz të lidhur politikisht e jo me profesionistë të ndershëm,” tha ai.

Megjithë denoncimet publike, Anisa Plepi nuk është tërhequr nga posti dhe tashmë është shpallur zyrtarisht fituese e vendit të punës, duke mbyllur një proces që shumë e quajnë farsë administrative në zemër të Bashkisë së Vlorës.

Ndaj Postimin: