Refuzimi i vizës amerikane për studentin indian me bursë të madhe

Një student indian, i pranuar me bursë 100 mijë dollarë në Universitetin Columbia, nuk mori vizën amerikane për arsye të lidhura me aktivitetin e tij në rrjetet sociale.

Kaushik Raj, një gazetar 27-vjeçar nga Nju Delhi, kishte siguruar një bursë prej 100 mijë dollarësh për të ndjekur studimet master në gazetarinë e të dhënave në Universitetin Columbia. Por ëndrra e tij për të studiuar në SHBA u shkatërrua kur ambasada amerikane i refuzoi vizën studentore.

Sipas Raj, shkaku kryesor i refuzimit ishte verifikimi i profileve të tij në rrjetet sociale. Ai kishte përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme, përfshirë intervistën, por u njoftua nga ambasada se aplikimi i tij nuk u pranua sepse “nuk kishte treguar lidhje të mjaftueshme me Indinë” për t’u kthyer pas studimeve.

Megjithatë, Raj deklaroi se arsyeja e vërtetë lidhej me aktivitetin e tij profesional si gazetar. Ai tha për The Washington Post se kishte qenë i kujdesshëm në publikimet personale, por shpesh kishte raportuar për krime urrejtjeje, tema që reflektoheshin edhe në postimet e tij online. “Ishte e qartë që kishin shqyrtuar rrjetet e mia sociale,” u shpreh ai.

Vendimi për të refuzuar vizën e tij nuk është rast i izoluar. Tre studentë të tjerë indianë, të intervistuar nga The Washington Post, raportuan përvoja të ngjashme, ku pas plotësimit të gjithë fazave të aplikimit, u refuzuan menjëherë pas kontrollit të rrjeteve sociale. Edhe atyre iu komunikua se nuk kishin “lidhje të forta me Indinë”, pavarësisht se kishin jetuar gjithmonë aty.

Në qershor, Shtetet e Bashkuara vendosën që çdo aplikant për vizat F, M dhe J të bëjë publike llogaritë e tij në rrjetet sociale për të lehtësuar procesin e verifikimit. Këto kategori përfshijnë vizat studentore dhe ato për programet e shkëmbimit kulturor. Sipas Shtëpisë së Bardhë, kjo masë synon forcimin e sigurisë kombëtare dhe shmangien e rreziqeve të mundshme ndaj interesave të jashtme amerikane.

Të dhënat e Komisionit Ndërkombëtar të Tregtisë tregojnë se numri i vizave studentore për Indinë ka pësuar rënie drastike. Vetëm në muajin gusht, SHBA lëshoi 19% më pak viza studentore krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa për studentët indianë rënia ishte mbi 44%, duke u zëvendësuar nga Kina si vendi me më shumë aplikantë.

Raj, i zhgënjyer por ende i vendosur për të ndjekur studimet jashtë vendit, ka njoftuar se tani po shqyrton mundësinë për të aplikuar në Mbretërinë e Bashkuar. “Nuk do të ndalem këtu,” tha ai, “do të vazhdoj të ndjek ëndrrën time, pavarësisht pengesave politike apo burokratike.”

Ndaj Postimin: