Nga sot, çdo transfertë në euro drejt Evropës do të kushtojë disa herë më pak, duke shënuar një ulje të ndjeshme të komisioneve për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
Nis sot zyrtarisht zbatimi i sistemit SEPA, zonës së vetme të pagesave në euro, që bashkon 40 shtete nga e gjithë Evropa e deri në territoret përtej oqeanit si Guajana Franceze apo ishujt Kanarie. Kjo reformë e re bankare sjell ulje drastike të tarifave për transfertat elektronike nga Shqipëria, ku komisionet nuk do të kalojnë më 25 euro, një ulje dhjetëfish në krahasim me më parë.
Për qytetarët dhe bizneset që dërgojnë apo marrin para nga jashtë, ndryshimi është thelbësor. Nga sot, një pagesë në euro nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së apo Britanisë do të ekzekutohet më shpejt dhe me kosto shumë më të ulët. Përfitojnë edhe emigrantët që dërgojnë para familjarëve, me tarifa të kufizuara deri në 3 euro për çdo transfertë hyrëse.
Banka e Shqipërisë ka këshilluar hapjen e llogarive në euro për të shmangur humbjet nga kursi i këmbimit. Kjo masë lehtëson ndjeshëm transaksionet ndërkombëtare dhe shmang vonesat që deri më tani zgjatnin disa ditë. Në mënyrë praktike, kjo nënkupton që edhe një pagesë nga një kompani në Portugali apo Francë do të arrijë në llogaritë shqiptare brenda 24 orëve.
Transfertat brenda vendit nuk mbeten pas. Komisionet për pagesat elektronike në lekë deri në 40 mijë lekë janë tashmë pa kosto, ndërsa për vlera më të larta tarifa nuk do të kalojë 500 lekë. Vetëm pagesat përtej 10 milionë lekëve do të kenë një komision maksimal prej 750 lekësh. Kjo është një nxitje e drejtpërdrejtë për përdorimin e shërbimeve digjitale dhe reduktimin e veprimeve në sportele.
Edhe për transfertat në euro, përfitimet janë të dukshme. Për shuma deri në 100 mijë euro, komisioni është vetëm 0.01% e vlerës ose 10 euro. Pagesat më të mëdha, mbi 100 mijë euro, do të kenë komision fiks prej 25 eurosh, ndërsa për ato që bëhen fizikisht në bankë, tarifa shkon deri në 50 euro. Para SEPA-s, këto komisione mund të arrinin deri në 300 euro.
Efekti i menjëhershëm i këtyre ndryshimeve është ulja e ndjeshme e kostove për ekonominë. Llogaritjet paraprake tregojnë se qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kursejnë rreth 40 milionë euro në vit nga reduktimi i tarifave. Kjo përkthehet në më shumë kursime për familjet dhe më pak kosto operacionale për bizneset.
Në thelb, SEPA përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit të plotë financiar të Shqipërisë në tregun europian. Ky sistem modernizimi e vendos vendin tonë në të njëjtin standard me shtetet e zhvilluara dhe forcon ndjeshëm lidhjet ekonomike me Evropën.
Në këtë mënyrë, çdo pagesë nga Londra, Parisi apo Berlini do të jetë më e lirë, më e shpejtë dhe më transparente për qytetarët shqiptarë.


